Osmani sugjeron zbatim të njëanshëm të marrëveshjes së Ohrit: Drafti në Kushtetuese vetëm pas miratimit në qeveri

15 nëntor 2024 | 16:01

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova mund të zbatojë edhe njëanshëm marrëveshjet dhe obligimet që dalin nga marrëveshja Bruksel-Ohër e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Osmani ka thënë se një gjë e tillë do të mund të bëhej në këmbim të garancive që Kosova do të merrte nga aleatët, ndonëse thotë se për këtë çështje deri tani s’ka pasur një përgjigje konkrete nga ana e tyre.

Presidentja e shtetit ka sqaruar se ideja për zbatim të njëanshëm të marrëveshjes është vetëm e saja si presidente e Republikës.

“Është qëndrimi vetëm i imi, jo domosdoshmërisht i institucioneve tjera, e kam thënë, ka të bëjë me mënyrën të cilat ne i kemi shfrytëzuar në vitin 2007-2008. Atëherë kur Serbia nuk zbatonte, ne e kemi pasur me marrëveshjen tonë me partnerët, me aleatët edhe pse Kosova pakon e Ahtisarit e kishte zbatuar në mënyrë të njëanshme ajo çfarë kishte përfituar ishte pavarësia, njohjet, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare. Në qoftë se partnerët ndërkombëtarë janë të interesuar që ne të ulemi me ta dhe zbatimi i marrëveshjeve nga ana e Kosovës të lidhet me përkrahje ndërkombëtare, garanci të sigurisë, njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare kjo është një situatë e re. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur përgjigje konkrete nga ana e komunitetit ndërkombëtar për një gjë të tillë”, ka deklaruar presidentja.

Duke folur për draftin e Asociacionit, presidentja Osmani ka thënë se ai mund të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese vetëm pasi të miratohet si akt juridik nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe se pa një akt të tillë s’mund ta dërgojë askush atë në Kushtetuese.

“Para se të dërgohet drafti i statutit në Gjykatën Kushtetuese duhet të miratohet një akt juridik nga ana e Qeverisë, pra pa një akt të tillë askush nuk mund ta dërgojë draftin e statutit në Gjykatë Kushtetuese, procedurat janë të qarta, Gjykata e ka sqaruar procedurën… Marrëveshja bazike e cila është arritur në Bruksel dhe ankesi i Ohrit parashohin obligime për të dyja palët. Nuk mund të kërkohet zbatim i detyrimeve vetëm për njërën palë, kurse pala tjetër, pra Serbia e cila formalisht është tërhequr nga marrëveshja të rri kinse nuk ka asnjë detyrim. Marrëveshja ka kuptim vetëm në qoftë se të dyja palët zbatojnë. Pra, në këtë rast Kosova ka ndërmarrë detyrime jashtëzakonisht të dhimbshme do të thosha nëpërmjet neneve të caktuara të kësaj marrëveshje, mirëpo ato kanë kuptim vetëm në qoftë se edhe Serbia zbaton marrëveshjen”, ka theksuar Osmani për “KosovaPress”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hoxha Xhevat Kryeziu ka folur pas varrimit të dy djelmoshave…