Osmani, Sveçlës: Vetëvendosje t’i bashkohet LDK-së
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojnë ditëve të ardhshme diskutimet lidhur me mundësinë e arritjes së një koalicioni parazgjedhor.
Lutfi Haziri pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, ka thënë se Vjosa Osmani në mënyrë unanime sot e ka marrë mbështetjen për kryeministre të Kosovës.
Sipas tij, askush më mirë se Osmani nuk mund të funksionalizojë demokracinë në Kosovë.
Ndërsa, kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, teksa falënderuar të gjithë për mbështetjen, ka thënë se unanimisht Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka vendosur që mos të hyjë në koalicion me PDK-në as para zgjedhjeve, por as pas mbajtjes së tyre më 6 tetor.
Duke qenë të vendosur që pozita e kryeministrit t’i takojë LDK-së, Osmani ka thënë se fokusi për një bashkëqeverisje është me Lëvizjen Vetëvendosje dhe se në ditët në vijim do të vazhdojnë diskutimet bashkërisht.
“Vetëvendosje duhet t’i bashkohet LDK-së në ndërtimin e një epoke të re të ndryshimeve të mëdha, të cilat do të jenë historike dhe që do e çkapin shtetin nga krimi dhe korrupsioni”, ka thënë Osmani.
Lidhur me deklarimet e ish-deputetit të Vetëvendosjes, Xhelal Sveçlës, i cili e ka quajtur tinëzare LDK-në, Vjosa Osmani, ka thënë se deklaratat e tilla tregojnë se kjo lëvizje nuk ka pasur bashkëpunim të sinqertë dhe shpreson se ato mendime të mos të jenë edhe të lidershipit të saj.