Osmani: Synim i Maqedonisë së Veriut, anëtarësimi në BE deri në vitin 2030
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në një intervistë për RTK-në, foli për aktualitetin dhe gjendjen e politikës së jashtme të këtij vendi, në kontekst të agjendës së intensifikuar për anëtarësim në BE deri në vitin 2030.
“Hapja e negociatave ishte një hap historik, ishte rrugëtim i gjatë, anëtarësimin në BE kemi nisur disa muaj para Kroacisë, ndërsa ajo tani është anëtare në BE” , tha Osmani.
Ai tha se ishin disa vende që na bllokuan rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut, duke shkaktuar pengesa, si vetoja greke e bullgare, etj.,
“Tani kemi adoptuar dinamikat tona drejt anëtarësimit, në fazën e ”skringut” për të parë se ku jemi dhe ku do të arrijmë. Derisa ishim në bllokadë nga Greqia e Bullgaria ne kemi simuluar proceset dhe kemi hapur kapituj dhe kemi përfunduar gati 45 për qind të punëve, duke na dhënë epërsi drejt anëtarësimit në BE”, tha Osmani
Sipas tij, Maqedonia e Veriut tani ka marrë kahje të pakthyeshme me përpjekjet për luftën kundër korrupsionit dhe kapituj tjerë, si, fjala vjen, për ambientin etj.
“Nuk mund të paragjykojmë se do të ndodhë anëtarësimin brenda 8 vjetësh, por kujtoj se do ta arrijmë. Jo rastësisht kemi vendosur vitin 2030, viti ku mund të jemi gati për anëtarësim në BE”, tha Osmani.