Osmani: Ta shkruajmë historinë në Ligën e Evropës
Qatip Osmani ka folur pas humbjes së skuadrës tetovare ndaj Rosenborgut në kuadër të Ligës së Evropës.
Shkëndija është mposhtur me rezultat 3-1 në takimin e parë të ‘play-off’-it të Ligës së Evropës, në ndeshjen e luajtur në Norvegji. Megjithatë, sipas trajnerit Osmani, rezultati nuk është pasqyrë reale e asaj që skuadrat shfaqën në fushën e lojës për 90 minuta. Osmani beson se kuqezinjtë merituan rezultat më të favorshëm dhe thotë se Shkëndija duhet të besojë në përmbysje në takimin e kthimit, më 30 gusht.
“Bazuar në lojën e treguar mendoj se Shkëndija meritoi rezultat më pozitiv por, megjithatë, shënuam golin që na jep shpresë se në takimin e kthimit do të mund të kualifikohemi në grupet e UEFA Ligës së Evropës”, ka thënë Osmani, duke shtuar se: “Na pret ndeshje historike në Shkup dhe Shkëndija do të mundohet ta përmbysë rezultatin e ndeshjes së parë”.