Osmani takohet me ambasadorin suedez, diskutojnë edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të mërkurën në takim ambasadorin e Suedisë, Jonas Westerlund, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë zhvillimet e sigurisë, si dhe raportet Kosovë-Suedi.
Në takim, presidentja dhe ambasadori Westerlund, kanë diskutuar edhe për integrimin euroatlantik të Kosovës, me ç’rast Osmani ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Suedisë në këtë drejtim.
Duke qenë se Kosova është 100 për qind e linjëzuar me politikat e BE-së si dhe duke marrë parasysh reformat e kryera në vend, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit, presidentja Osmani ka potencuar domosdoshmërinë e vlerësimit të shteteve aspiruese, përfshirë Kosovën, bazuar në merita.
Në takim po ashtu është diskutuar edhe për përpjekjet e Kosovës për avancimin e prezencës së saj ndërkombëtare si dhe për hapat tutje sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Presidentja Osmani dhe ambasadori Westerlund kanë diskutuar edhe për intensifikimin e bashkëpunimit bilateral midis Kosovës dhe Suedisë, përfshirë bashkëpunimin tregtar, investimet potenciale suedeze, bashkëpunimin në fushën e teknologjisë informative si dhe në fusha të tjera të interesit të dyanshëm.