Osmani takohet me ambasadorin turk, ideojnë për krijimin e institucioneve të reja
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të hënën në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Cagri Sakar, me të cilin ka diskutuar për raportet bilaterale mes dy shteteve, duke potencuar bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe raportet e mira mes shteteve.
Në këtë takim, Osmani është shprehur falënderuese për ndihmën që shteti turk i ka ofruar Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj në fusha të ndryshme, e sidomos tash së fundmi përgjatë pandemisë.
Ajo ka theksuar faktin se Turqia ka ofruar ndihmë në trajtimin e pacientëve në faza të ndryshme që ka qenë ndihmë e madhe për Kosovën.
Ndërsa ambasadori Sakar ka uruar Osmanin për rezultatin e arritur në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke konstatuar se vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës është i qartë dhe se i njëjti duhet të jetësohet përmes krijimit të institucioneve të reja.