Osmani takohet me emirin e Katarit, bisedojnë edhe për çështjen e trajtimit të invalidëve të UÇK-së
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në Katar, është pritur në takim nga Emiri i Katarit, Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani.
Në takim është diskutuar për thellimin e mëtejshëm të raporteve dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme siç janë: shëndetësia, turizmi malor, infrastruktura, si dhe projekte të tjera me rëndësi për Kosovën.
Në veçanti është diskutuar për një sërë projektesh investive në sektorë strategjik për të cilat do të vazhdojnë diskutimet përmes ekipeve përkatëse në ditët në vijim.
Presidentja Osmani gjatë takimit ka shtruar edhe çështjen e trajtimit të invalidëve të luftës nga radhët e UÇK-së, të cilët kanë nevojë për shërbime protetike.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për rritjen e mbështetjes në fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Presidentja ka falënderuar Emirin e Katarit për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe popullit të saj.