Osmani takohet me kardinalin Parolin, thekson rëndësinë e njohjes së Kosovës nga Selia e Shenjtë
Gjatë javës së kaluar, në Nju-Jork, presidentja Vjosa Osmani është takuar me sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinalin Pietro Parolin.
Gjatë takimit, Osmani ka shprehur përkushtimin e Republikës së Kosovës për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me Selinë e Shenjtë.
Sipas një njoftimi nga ana e Presidencës, e para e vendit ka theksuar gjithashtu punën intensive me institucionet e Selisë së Shenjtë për hapjen e Misionit të Veçantë të Kosovës pranë Selisë së Shenjtë, duke e konsideruar këtë si një shembull të përkushtimit të Kosovës për forcimin e mëtejshëm të raporteve midis dy vendeve, si dhe për frymën e harmonisë ndërfetare që vendi ynë e mishëron me shekuj.
Më tutje në takim, Osmani ka theksuar edhe rëndësinë e njohjes nga Selia e Shenjtë, si hap të rëndësishëm drejt thellimit të raporteve ndërshtetërore, e cila po ashtu do të kontribuonte drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajonin tonë.
Në takim me kardinalin Parolin, presidentja Osmani ka folur edhe ftesën për vizitën e Papës Françesku në Republikën e Kosovës, të cilën e ka diskutuar në takim me Papën vitin e kaluar.