Osmani takohet me kryesuesin e KPK-së, bisedojnë për sistemin prokurorial
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku, është pritur të martën në takim nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani fillimisht e ka përgëzuar Malokun për pozitën e re të kryesuesit të KPK-së, duke i uruar fat e sukses në detyrën që ka marrë.
Gjatë këtij takimi, Osmani dhe Maloku kanë diskutuar për gjendjen e sigurisë në vend, sfidat me të cilat ballafaqohet sistemi prokurorial dhe për proceset e emërimeve, riemërimeve dhe dekretimeve të prokurorëve të rinj, duke u dakorduar që këto procese të zhvillohen me integritet të lartë.
Ndërsa Maloku, ka njoftuar Osmanin, se prioritet i tij është ngritja e besueshmërisë së publikut në sistemin prokurorial, reduktimi i lëndëve të vjetra, rritja e numrit të prokurorëve, përmirësimi i infrastrukturës, plotësimi i kornizës ligjore për të gjitha proceset e punës, vlerësimi i rregullt i performancës dhe rastet disiplinore të proceduara me kohë.
Gjithashtu, Maloku, ka potencuar se synim i tij është vazhdimi i bashkëpunimit me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim të arritjes së objektivave të sistemit prokurorial.
Në fund të takimit, të dy bashkëbiseduesit kanë shprehur gatishmërinë e ndërsjellë për avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim të konsolidimit të institucioneve dhe forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.