Osmani takohet me ministrit izraelit: Heqja e vizave ndikon në ndërveprimin mes dy vendeve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar sot me ministrin e Turizmit të Shtetit të Izraelit, Haim Katz.
Osmani në këtë takim e ka përshëndetur nënshkrimin e “Deklaratës së Përbashkët ndërmjet Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Turizmit të Shtetit të Izraelit për bashkëpunimin në fushën e turizmit”.
Më tej, Osmani ka thënë se është e nevojshme që finalizohet procesi i heqjes së vizave.
“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka shprehur edhe nevojën që të finalizohet procesi i heqjes së vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, i cili do të ndikonte në ndërveprim të shtuar në mes të qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve të të dyja vendeve.” – thuhet në komunikatëne Zyrës së Presidentës.
Njoftimi i plotë:
Presidentja Osmani ka përshëndetur nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët ndërmjet Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Turizmit të Shtetit të Izraelit për bashkëpunimin në fushën e turizmit, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj Deklarate në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e turizmit dhe shkëmbimit të përvojave.
Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka shprehur edhe nevojën që të finalizohet procesi i heqjes së vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, i cili do të ndikonte në ndërveprim të shtuar në mes të qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve të të dyja vendeve.
Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin me Izraelin në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Presidentja Osmani është shprehur e kënaqur me nivelin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit në mes të dyja shteteve, ndërsa ka theksuar se forcimi i mëtejmë i raporteve ndërshtetërore do të rikonfirmohet edhe gjatë vizitës zyrtare të Presidentes në Izrael, me ftesë të Presidentit Herzog.