Osmani takohet me presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës në Zvicër është pritur në takim nga presidenti i Këshillit Kombëtar të këtij shteti, Andreas Aebi, me të cilin kanë biseduar për thellimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.
“Isha e nderuar sot të pritem nga presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, z. Andreas Aebi, për të diskutuar thellimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës e Zvicrës. Prioritetet e institucioneve të ardhshme, menaxhimi i pandemisë e sigurimi i vaksinave, potenciali i jashtëzakonshëm i mërgatës sonë si dhe bashkëpunimi ndër-parlamentar e ekonomik, ishin vetëm disa nga temat që i diskutuam gjatë takimit tonë shumë përmbajtjesor. Mirënjohje e thellë për mbështetjen e deritanishme nga Zvicra e po ashtu optimizëm i thellë për rrugën tonë përpara”, ka shkruar Osmani në llogarinë e vet në “Facebook”.