Osmani takohet me Xhaferin, ja për çfarë biseduan
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e parë të vizitës zyrtare në Maqedoni të Veriut është pritur në takim nga kryetari i Kuvendit maqedonas, Talat Xhaferi.
Në takim, Osmani ka falënderuar Maqedoninë e Veriut për votën e saj në favor të Kosovës në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës dhe në këtë kontekst kërkoi mbështetjen e njëjtë edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) dhe në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Më tutje në takim me kryeparlamentarin Xhaferi, presidentja Osmani ka folur për rëndësi ë e intensifikimit të bashkëpunimit ndërparlamentar, duke përfshirë dinamizimin e takimeve dhe ndërveprimeve të komisioneve parlamentare respektive.
Në këtë drejtim është vlerësuar roli dhe kontributi i grupeve të miqësisë në parlamentet e të dyja shteteve, duke inkurajuar qasje gjithnjë e më proaktive.
Presidentja Osmani ka përmendur kontributin e shqiptarëve për shtetformim dhe shtendërtim të Maqedonisë së Veriut dhe ka thënë se ata janë urë e fuqishme lidhëse ndërmjet të dy shteteve.
Ajo ka thënë se ata dëshmojnë më së miri se si respektimi i të drejtave të njeriut rezulton me integrim të suksesshëm të komuniteteve të ndryshme në një shoqëri.