Osmani takon deputetin britanik: Kosova ka ende nevojë për mbështetjen e aleatëve
Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim deputetin David Lammy, njëherësh sekretar i Jashtëm nën hije i Partisë Laburiste në Mbretërinë Bashkuar.
Në takim me deputetin Lammy, Osmani ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuara për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës që nga vitet e ‘90-ta dhe në këtë kontekst kërkoi mbështetje të mëtejme për sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova në këtë periudhë.
Presidentja theksoi se Kosova, si një sukses i përbashkët i popullit të saj dhe aleatëve ndërkombëtar, ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e demokracisë, sikurse edhe të sundimit të rendit dhe ligjit.
Duke qenë gjithnjë në anën e drejt të historisë, ajo ka pohuar se Kosova është rreshtuar krah aleatëve edhe me vendimet për sanksione ndaj Rusisë e në mbështetje të Ukrainës.
Por, siç potencoi presidentja Osmani, interesimi i satelitit të Rusisë, Serbisë, për ta destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor, është më i madh se asnjëherë më parë, për shkak se Serbia është e interesuar të bllokojë suksesin në dialog dhe të arrijë qëllimet e saj me dhunë e nëpërmjet bandave kriminale.
Prandaj, presidentja Osmani shtoi se Kosova ka ende nevojë për mbështetjen e aleatëve sikurse Mbretëria e Bashkuar, në mënyrë që të bëhen hapa përpara në forcimin dhe konsolidimin e mëtejmë të pozitës ndërkombëtare si dhe në luftimin e tendencave destabilizisuese ruso-serbe.
Në veçanti, presidentja Osmani potencoi rëndësinë e mbështetjes për anëtarësim në Këshillin e Evropës si dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s, si prioritete imediate.
Në takim është diskutuar edhe për procesin e dialogut me Serbinë ku presidentja Osmani ka përsëritur faktin se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive, e cila po përballet me obstruksionet e vazhdueshme të Serbisë.
Ajo potencoi se është me rëndësi që Mbretëria e Bashkuara ta vazhdojë trashëgiminë e saj të mbështetjes ndaj Kosovës jo vetëm në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, por edhe në intensifikimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të dyanshëm.