Osmani takon Hovenierin, diskutojnë për zhvillimet e fundit në veri
Presidentja Vjosa Osmani është takuar sot me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit, me theks të veçantë situatën e sigurisë pas sulmit në veri të Kosovës, ku nga akti terrorist i grupeve kriminale serbe, u vra rreshteri i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe disa policë tjerë u plagosën.
Siç njofton Presidenca, ambasadori Hovenier shprehu edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta për vrasjen e policit të Kosovës.
Presidentja Osmani ndërkaq, ka falenderuar aleatët, në rradhë të parë SHBA-të, për mbështetjen dhe solidaritetin pas vrasjes së rreshterit policor, heroit të Kosovës Afrim Bunjaku, si dhe bashkëpunimin dhe përkrahjen e institucioneve të sigurisë në këtë kohë kur po sfidohet rëndë siguria kombëtare e Kosovës.
Presidentja ka theksuar se për këtë sulm terrorist dhe akt agresioni nga ana e Serbisë duhet të ketë përgjegjësi nga ana e shtetit serb.
Ajo gjithashtu ka thënë se shpreson se pasi shtetet aleate të përfundojnë procedurat e tyre të brendshme për konfirmimin e informacioneve që kanë të bëjnë me sulmin e fundit ndaj Kosovës, do të ndërmarrin masa konkrete dhe sanksione ndaj Serbisë, për shkak të involvimit të saj të drejtpërdrejtë në këtë sulm, qoftë si shtytëse, organizatore apo lehtësuese e tij.