Osmani takon ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, temë diskutimi forcimi i partneritetit strategjik
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Washington D.C., takoi Ndihmës Sekretartin Amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, Louis Bono.
Takimi u fokusua në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përputhje me objektivat e Administratës së presidentit Trump , si dhe në avancimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si mbrojtja dhe ekonomia.
Gjatë takimit, presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të bashkëpunuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara, duke thelluar marrëdhëniet bilaterale.
Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e forcimit të sigurisë rajonale dhe nevojën për një qëndrim të fuqishëm parandalues përballë kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia, Serbia dhe aktorë të tjerë keqdashës.
Në këtë kontekst, Osmani nënvizoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në rajon.
Në mes tjerash, presidentja Osmani foli për rëndësinë e integrimit të Kosovës në NATO, gjë që përvec se do të fuqizonte sigurinë në Kosovë e rajon, është përfundimisht edhe në harmoni me objektivat strategjike amerikane për paqen dhe sigurinë globale.
Ajo konfirmoi se Kosova ka rritur tashmë buxhetin për mbrojtje në 2% të Bruto
Produktit Vendor dhe është në proces të rritjes së këtij buxheti për të përmbushur objektivin strategjik të anëtarësimit në NATO.
Tutje, presidentja Osmani konfirmoi gatishmërinë e Kosovës për angazhim aktiv në drejtim të realizimit të Dialogut Strategjik, i cili iu ofrua Kosovës në fillim të këtij viti, për të adresuar sfidat dhe përparësitë e përbashkëta në fusha të ndryshme.
Louis Bono është emëruar nga Administrata e presidentit Trump si ushtrues detyre në pozitën e Ndihmës Sekretarit të Shtetit me datë 20 janar 2025.