
Osmani takon nënën Ferdonije në 26-vjetorin e rrëmbimit të djemve dhe burrit të saj
Presidentja Vjosa Osmani, ka vizituar të enjten nënën Ferdonije në shtëpinë muze të familjes Çerkezi në Gjakovë.
Kjo vizitë e Osmanit ndërlidhet me 26-vjetorin i rrëmbimit të dhunshëm nga regjimi gjenocidal serb të bashkëshortit dhe katër djemve të nënës Ferdonije.
Osmani ka thënë se nënën Ferdonije kanë takuar nënat e Gjakovës të cilat kanë humbur të dashurit e tyre nga krimet e Serbisë.
“Në 26-vjetorin e rrëmbimit të dhunshëm nga regjimi gjenocidal serb të bashkëshortit dhe 4 djemve të saj, sot isha për vizitë te nëna Ferdonije në shtëpinë-muze të familjes Çerkezi në Gjakovë. Bashkë me Nënën Ferdonije takuam edhe nënat e tjera të Gjakovës të cilat kanë humbur të dashurit e tyre nga krimet makabre të Serbisë. Eshtrat e dy djemve të Nënës Ferdonije janë gjetur, teksa fati i bashkëshortit dhe dy djemve të tjerë vazhdon të mbetet peng. Megjithatë, ajo nuk është dorëzuar. Dhimbjen e ka shndërruar në forcë, stoicizëm dhe në kauzë për drejtësi. Dhimbja e saj është edhe e jona. Kauza e saj është edhe e jona. Dhimbje e kauzë e gjithë Kosovës”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.