Osmani thotë se Kosova është 100% në linjë me SHBA-në për ngjarjet në Lindje të Mesme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së djeshme ka pasur një diskutim në Council on Foreign Relations, në New York.
Në pjesën më të madhe të fjalimit të saj, ajo ka folur lidhur me raportin me Serbinë dhe tendencat e saj në Kosovë, por edhe për politikën e jashtme të Kosovës.
Osmani deklaroi se Kosova është e rreshtuar 100% me politikën e jashtme të SHBA-së, si dhe citoi edhe raportet e BE-së që Kosova është 100% e linjëzuar edhe me atë të BE-së.
Në këtë drejtim, ajo u pyet nga audienca nëse Kosova qëndron 100% në të njëjtën linjë si të SHBA-së edhe në Lindje të Mesme, ndërsa dikush nga audienca gabimisht deklaroi se Kosova është pjesë e iniciativës së qeverisë kineze “Belt and Road” – një strategji e Kinës e nisur më 2013 për të investuar në më shumë se 150 vende dhe organizata ndërkombëtare.
Osmani tha se Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që s’është pjesë e kësaj iniciative dhe se nuk e ka ndërmend të bëhet, duke thënë se “ne besojmë që ka një influencë malinje” nga Kina dhe se vendet e rajonit nuk kanë prosperuar nga ky ndikim kinez, por përkundrazi.
“Dhe ne absolutisht jemi në një linjë në politikën e jashtme, si në Lindjen e Mesme (që u bë pyetja më herët), po gjithashtu edhe në pyetjen për Kinën e Rusinë. Kur është në pyetje çështja e rreshtimit kjo llogaritet për BE-në, por ne gjithashtu e rreshtojmë politikën tonë të jashtme me SHBA-në, sidomos kur bëhet fjalë për sanksione. Ne nuk bashkëpunojmë me Kinën. Ne nuk e kemi lejuar Kinën të përdorë ndonjë instrument në politikëbërje, madje edhe në krijimin e opinionit publik. Sigurisht që kanë provuar”.