Osmani thotë se Lajçaku mund të mos jetë ndërmjetësues i dialogut
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Miroslav Lajçak mundet të mos jetë ndërmjetës i dialogut Kosovë-Serbi.
Ajo ka thënë se me ardhjen e zgjedhjeve të reja në BE, do të ketë komisionarë të rinj, zyrtarë të rinj të cilët do ta marrin përsipër procesin e dialogut.
Osmani ka theksuar se Lajçaku e ka mandatin deri në gusht dhe pas gushtit mund të jetë dikush tjetër në vend të tij.
“Janë disa muaj vendimtarë në dialog, sepse në maj janë zgjedhjet në BE. Pas zgjedhjeve në BE do të kemi komisionarë të rinj, zyrtarë të rinj, të cilët do ta marrin përsipër procesin e dialogut. Sipas të gjitha gjasave dhe ndërmjetësues të ri nga ajo që më është thënë nga vetë Lajçaku, i cili e ka mandatin deri diku në gusht, në mos gabofsha”, ka thënë Osmani.