Osmani thotë se nuk pa vullnet politik për zgjedhje të jashtëzakonshme

31 korrik 2024 | 15:49

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur të mërkurën takim me krerët e partive politike parlamentare.

Në takimin konsultativ të thirrur nga Osmani, nuk ishin të pranishëm zyrtarët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, por as të partisë kryesore të serbëve në Kosovë, Lista Serbe.

Osmani pas takimit ka bërë me dije se janë pajtuar që të bëhet analizimi e të gjitha datave dhe elementeve përkatëse për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare. “Ky vendim nuk është marrë sepse duhet t’i analizojmë diskutimet që i kishim me kryetarët e partive”, tha Osmani gjatë konferencës për medie pas takimit.

Osmani tha se partitë kishin preferenca të ndryshme sa i përket datës për mbajtjen e zgjedhjeve. “Nuk kishte insistim të tepërt nga partitë, kishte më shumë preferenca. Disa parti preferuan 26 janarin, ka tri a katër të tjera që preferuan 9 shkurtin, dy a tri tjera 16 shkurtin. Dhe kishte parti të tjera që nuk kishin fare preferenca”, u shpreh Osmani.

Osmani tha se aktualisht janë brenda afatit të konsultimeve për caktimin e datës për zgjedhje. “Mirëpo, nga data 26 korrik e tutje, presidentja fiton të drejtën dhe ta bëjë shpalljen e zgjedhjeve, kështu që afatet veçse ekzistojnë”, theksoi ajo.

Viti 2025 do të jetë vit i rregullt zgjedhor dhe nëse partitë vendosin që të mbahen zgjedhje të rregullta dhe jo të parakohshme, atëherë Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti do të bëhet Qeveria e parë që nga shpallja e pavarësisë, që do të përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar.

Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje.

Sa i përket mundësisë që vendi të shkojë në zgjedhje, përmes shpërndarjes së Kuvendit, Osmani tha se kjo mundësi “ligjërisht ende ekziston”. “Megjithatë, shpërndarja e kuvendit kërkon dy të tretat e votave e më shumë dhe se a kanë disponim partitë politike në Kuvend ta bëjnë një shumicë të tillë, është çështje e tyre. Sot nuk u duk një dispononim i tillë”, ka deklaruar Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja dhe prezantuesja shqiptare, Luana Vjollca, ka bërë një pushim…