Osmani thotë se përplasjet Thaçi-Mustafa për asociacionin janë artificiale
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, i ka quajtur artificiale përplasjet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në mes të presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.
“Si në vitin 2013 kur është nënshkruar marrëveshja, si në vitin 2015 kur është nënshkruar dokumenti, në të dyja rastet kanë qenë bashkë dhe këto dy palë e kanë përkrahur njëra-tjetrën. Në vitin 2015 e kam thënë në Kuvend, Thaçi i rrinte prapa Mustafës si një lloj miratimi të nënshkrimit të dokumentit për asociacionin”, ka thënë Osmani pas një takimi të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
“E kanë përkrahur njëri-tjetrin dhe më duket si përplasje artificiale. Pavarësisht deklarimeve ajo që mbetet e vërtetë është se krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është i rrezikshëm për Kosovën”, është shprehur ajo.
Osmani ka pohuar të gjithë të bashkuar do ta kundërshtojnë krijimin e një trupe të tillë.
Ajo ka thënë se Hoti nuk duhet të hyjë aventurave të tilla të rrezikshme.