Osmani thotë se zyrtari amerikan ia ka konfirmuar se ShBA-ja dhe Kosova do ta finalizojnë së shpejti dialogun strategjik
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit për Menaxhim dhe Resurse, Richard R. Verma, ka thënë se i është konfirmuar se Kosova dhe ShBA-ja do ta finalizojnë së shpejti dialogun strategjik.
Osmani ka thënë se një lajm i tillë është i shkëlqyeshëm për Republikën e Kosovës.
“Lajm i shkëlqyeshëm për Republikën e Kosovës! Pas propozimit që i kam dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale si dhe në takimin me Sekretarin Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me Zëvendës Sekretarin amerikan Richard Verma m’u konfirmua se Kosova dhe ShBA-të do ta finalizojnë së shpejti dialogun strategjik. Kjo është një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate. Falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë përkrahje ndaj popullit të Kosovës dhe mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin intensiv në interes të Kosovës. Ekipet tona do të takohen së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për dialogun strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.