Osmani: Trashëgimia transformuese e USAID-it është e dukshme në çdo cep të Kosovës
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ndihmësadministratoren në Byronë për Evropë dhe Euroazi të USAID-it, ambasadoren Erin McKee, me rastin e shënimit të 25-vjetorit të partneritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet USAID-it dhe popullit të Kosovës.
Presidentja Osmani e ka përgëzuar USAID-in për miqësinë 25-vjeçare dhe mbështetjen e palëkundur për Kosovën.
Sipas presidentes Osmani, misioni i USAID-it gjatë çerek shekullit të kaluar, ka qenë i rëndësishëm në fuqizimin e të rinjve, grave, investimin dhe ndërtimin e institucioneve që mbështesin drejtësinë, barazinë dhe mundësitë për të gjithë.
“Trashëgimia transformuese e USAID-it është e dukshme në çdo cep të Kosovës, nga forcimi i institucioneve deri te rritja e qëndrueshme ekonomike dhe avancimi i parimeve demokratike”, ka theksuar Osmani.
Në këtë kontekst, presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të USAID-it, përfshirë investimin prej mbi 1 miliard dollarësh në fushat ndryshme për progresin e Kosovës.
Presidentja Osmani ka theksuar gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së projekteve në fushën e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe projektet për fuqizimin ekonomik të grave, duke rikonfirmuar përkushtimin e Presidencës për t’i mbështetur këto projekte në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës.