Osmani uron Trumpin: Kosova përjetësisht mirënjohëse
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, uroi Donald Trumpin pas betimit si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
Përmes një postimi në platformën X, Osmani tha se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me të, me zëvendëspresidentin JD Vance dhe me gjithë administratën e re, “për të forcuar marrëdhëniet tona të posaçme, për të promovuar vlerat tona të përbashkëta të lirisë dhe për të adresuar sfidat e kohës sonë”.
“Kosova do të ketë përjetësisht një ndjenjë të thellë mirënjohjeje për rolin historik që Shtetet e Bashkuara kanë pasur në mbështetjen tonë, në disa prej kapitujve më të errët të historisë sonë”, thuhet në telegramin e urimit të shpërndarë në X.
“Përkushtimi i vendit tuaj për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin njerëzor, e ka shpëtuar popullin tonë nga një regjim gjenocidial”, tha gjithashtu Osmani.
Ajo shtoi se Kosova mbetet me krenari “populli më proamerikan” në botë.