Osmani: Ushtria e Kosovës është e përgatitur për ta mbrojtur territorin e shtetit tonë
Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet kuadratet e FSK-së dhe Policia e Kosovës kanë parakaluar për nder të kësaj dite.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin krerët më të lartë të shtetit. Me këtë rast, presidentja Osmani ka thënë se është krenare në parakalimin e ushtrisë dhe policisë. Tha se këta djem dhe vajza që parakalojnë para jush janë personifikimi më i mirë i shtetit të Kosovës.
“Jam krenare që ndodhem sot këtu para jush në këtë parakalim të ushtrisë tonë në 14 vjetorin e Republikës së Kosovës. 14 vjet të shtetësisë së Kosovës nuk janë shumë por nuk janë aspak për ta kujtuar rrugën e vështirë për ta bërë shtetin. Këta djem dhe vajza që do të parakalojnë para jush janë personifikimi më i mirë i shtetit të Kosovës, ata nuk janë vetëm siguria jonë, por edhe garanca për çdo cep të territorit të Kosovës. Ata janë identiteti i shtetit tonë të ri për të cilin dhamë shumë mund dhe për të cilin po punojmë çdo ditë e më shumë. Secili nga njerëzit e këtij vendi ka bërë diçka për këtë ditë, secili në mënyrën e vetë ka bërë diçka që Kosova të bëhet shtet prandaj sot jemi këtu dhe përulemi me respektin më të madh ndaj gjithë atyre që ëndrrën tonë për shtetin e e bënë realitet”, ka deklaruar Osmani.
Osmani ka thënë se ushtria e Kosovës që do të parakalojë sot në sheshet e Prishtinës është e përgatitur për të mbrojtur territorin e Kosovës.