Osmani: Ushtria e Kosovës, shembull i profesionalizmit dhe i besueshmërisë

12 gusht 2020 | 17:00

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar Ministrinë e Mbrojtjes, ku është pritur nga ministri Anton Quni, si dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.

Në takimin me ministrin Quni dhe gjenerallejtënant Ramën, Osmani ka shprehur mirënjohjen e saj dhe të Kuvendit të Kosovës për përkushtimin profesional dhe atdhetar të ushtarëve të FSK-së, për strukturën udhëheqëse të kësaj force, por edhe për angazhimin e pakursyer personal të ministrit Quni për zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve të FSK-së dhe ofrimin e sigurisë për qytetarët e vendit.

Ajo i ka falënderuar ata edhe për angazhimin e tyre për ofrimin e ndihmës për menaxhimin e pandemisë Covid-19. “Ne e çmojmë lart përkushtimin tuaj për të punuar ngushtë me strukturat e sigurisë, përfshirë KFOR-in, për ofrimin e sigurisë së vendit, por edhe për garantimin e një ambienti të qetë, në të cilin qytetarët e vendit do të ndihen të sigurt”, ka thënë Osmani.

Më tutje, ajo e ka vlerësuar evoluimin e shpejtë të FSK-së dhe e ka siguruar ministrin Quni dhe komandantin Rama se institucioni të cilin ajo e udhëheq do të punojë ngushtë me ta për krijimin e infrastrukturës së nevojshme për operim të FSK-së, përfshirë hartimin e legjislacionit të nevojshëm.

Ndërsa ministri Quni, e ka njoftuar kryetaren Osmani për hapat shumë të rëndësishëm që Ministria e Mbrojtjes, e udhëhequr prej tij, i ka ndërmarrë për ngritjen profesionale të FSK-së, por edhe për thellimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit me partnerët strategjikë për përforcimin e mëtejmë të sigurisë në vend.

Bashkë me ministrin Quni, kryetarja Osmani ka vizituar shtabin e përgjithshëm të FSK-së, në të cilin komandanti i kësaj force, gjenerallejtënant Rama dhe struktura udhëheqëse e saj e kanë informuar atë për procesin e transformimit të FSK-së dhe aktivitetet kryesore të kësaj force.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetarja e televizionit publik Jehona Zhitia është konfirmuar pozitive me…