Osmani: Veliu që s’mori fare pjesë në zgjedhje u bë zëri kryesor i LDK-së

07 prill 2020 | 20:49

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se Agim Veliu, i cili ishte kundër një koalicioni me LV-në, nuk është dashur të jetë pjesë e Qeverisë.

Por ajo thotë se, Veliu, jo vetëm që u bë pjesë e Qeverisë, por u bë zëri kryesor i LDK-së, ndonëse nuk mori pjesë fare në zgjedhje.

“Ardhja deri te mocioni, nuk mendoj se mund të reduktohet vetëm në momentet e fundit të mocionit. Është një histori më e gjatë. Brenda një partie ka zëra të ndryshëm. Por, rreth çështjes së koalicionit me LV-në, kemi qenë një numër i madh i njerëzve që kemi besuar se partitë që ishin deri në atë moment në pushtet, vërtet e kishin sjellë Kosovën buzë humnerës. Këtë qëndrim e kishte edhe kryetari i LDK-së. Shkaku i shumë keqpërdorimeve nga ato parti, na mbeti vetëm bashkëpunimi me LV-në. Nuk ka pasur asnjë pikë në legjislacionin e kaluar që s’kemi diskutuar bashkë me LV-në. E kjo ma ka betonuar përshtypjen që këto janë dy parti që synojnë reforma të thella, e kanë seriozisht luftimin e kapjes së shtetit. Unë dhe shumë të tjerë s’kishim si ta shihnim gjendjen ndryshe përpos një qeverie mes LDK-së dhe LV-së”.

“Ishim të interesuar ta kishim një qeveri që s’do të varej as nga votat e PAN-it e as nga Lista Serbe. Ne tashmë e kishim këtë qeveri. U ndërtua jo vetëm një pritje shumë e madhe tek qytetarët, një shpresë që s’e kishin parë tepër gjatë, një qeveri që përfshinte njerëz tejet profesionistë, me të cilët pjesa dërmuese e qytetarëve, janë ndier krenarë. Pra e kishim një qeveri që nuk varej as nga votat e PAN-it e as nga ato të Listës Serbe. Programi qeverisës është hartuar në masë të madhe nga njerëzit e LDK-së. Por, u rritën përpjekjet për të prishur bashkëpunimin mes LDK-së dhe LV-së. Problemi eskaloi kur zërat që ishin kundër një koalicioni të tillë, u bënë zëri themelor në LDK. Po flas për Veliun dhe të tjerët. Përkundër faktit se s’kishin marrë pjesë fare në zgjedhje, dhe përkundër që s’kishin ndihmuar në zgjedhje, ata u bënë zëri kryesor. Kur u arrit marrëveshja me LV-në, ata që e kundërshtuan koalicionin, tani kërkonin që të kishin rolin themelor brenda qeverisë. Unë isha kundër sepse e dija se kjo s’çon në bashkëpunim të sinqertë. Nëse e kundërshton konceptim e një qeverie dhe partnerin qeverisës, pse duhet të jesh ti aty, për mua është përtej imagjinatës. S’ka asnjë kuptim të jesh në qeveri dhe të kërkosh çdo natë rrëzimin e saj. Po flas edhe për intervistat e zotit Hoti. Ia kam thënë disa herë që nëse nuk beson në këtë qeveri, ka njerëz që i besojnë. Këto kanë qenë momentet e tensioneve brenda LDK-së”, u shpreh Osmani në emisionin DESKU në KTV.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka…