Osmani viziton kampin amerikan ‘Bondsteel’: Partneriteti i ushtrive tona po thellohet dita-ditës
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar të enjten kampin ushtarak amerikan “Bondsteel”.
Me këtë rast, Osmani ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për përkushtimin e ushtrisë amerikane ndaj Kosovës.
“Sa herë e vizitoj kampin e ushtrisë amerikane ‘Bondsteel’, krahas mirëseardhjes së përzemërt, e ndiej edhe kënaqësinë e të qenit mes aleatësh e miqsh të vërtetë. Sot pata rastin që t’ua shpreh mirënjohjen e thellë tonën për përkushtimin e ushtrisë amerikane ndaj vendit tonë. Duke shërbyer këtu, larg familjeve të tyre, në kohë pandemie, ata po dëshmojnë çdo ditë se partneriteti mes dy popujve e ushtrive tona po thellohet dita-ditës dhe se aleanca jonë qëndron në përkushtimin e përbashkët për ta garantuar paqen në rajon”, ka shkruar Osmani në llogarinë e vet në “Facebook”.