Osmani vlerëson mbështetjen e Malit të Zi për perspektiven evropiane të Kosovës
Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj.
Në takim, presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e thellimit të mëtutjeshëm të raporteve të mira fqinjësore në dobi të qytetarëve dhe bashkërendimin e qëndrimeve kundër tendencave destabilizuese në rajon.
Siç njofton Presidenca, palët diskutuan po ashtu për zhvillimet e fundit në vend, me ç’rast Osmani vlerësoi lartë mbështetjen e Malit të Zi për perspektiven evropiane të Kosovës dhe theksoi rëndësinë e lartë të vazhdimit të kësaj mbështetje përderisa Kosova po ndërmerr hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.
Duke folur për rolin e komunitetit malazez në Kosovë, presidentja Osmani potencoi bashkëpunimin e mirëfilltë në kuadër të Këshillit Konsultativ për Komunitete.
Palët diskutuan për mundësitë dhe potencialin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, me ç’rast u theksua përkushtimi i dyanshëm për angazhim drejt hapjes së kapitujve të ri të bashkëpunimit.