Osmani: Vushtrria ka synime të mëdha në Kupë

09 mars 2018 | 12:43

Skuadra e Vushtrrisë është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së bashku me Prishtinën, Drenicën dhe Vëllaznimin. Labinot Osmani është i bindur se skuadra e tij mund të dalë e suksesshme në këtë garë.

KF Vushtrria është në pozitën e tretë në Ligën e Parë të Kosovës në futboll dhe një prej pretendenteve kryesore për inkuadrim në Vala Superligë. Pavarësisht prej synimeve në kampionat, Vushtrria synime të mëdha ka edhe në garën për Kupë.

Sulmuesi Labinot Osmani të enjten për “Epokën e re” ka thënë se nuk ka ndonjë preferencë për kundërshtarin e radhës, por konfirmon se synimet janë të shkohet sa më lart që është e mundur, pse jo edhe të rrëmbehet Kupa. “Të gjitha skuadrat që janë në garë kanë mjaft kualitete dhe janë pretendente për të triumfuar në fund. Nuk kam ndonjë preferencë për ndonjë skuadër për kundërshtare në gjysmëfinale, por ne do të përpiqemi të vazhdojmë me ritëm të njëjtë edhe në ndeshjet e radhës dhe, pse jo, në fund ta fitojmë Kupën”, ka thënë Osmani.

Lidhur me ecurinë në garën e Kupës dhe triumfin ndaj Gjilanit, Osmani ka deklaruar se ajo çfarë ka shfaqur Vushtrria në këtë edicion është e shkëlqyeshme. “Ecuria jonë në garën e Kupës sivjet ka qenë e suksesshme. Këtë e them për faktin se ekipet e Superligës kanë qenë favorite dhe mjaft të organizuara. Triumfi në ndeshjen e fundit çerekfinale ndaj Gjilanit ka qenë mjaft i mirë, pasi kundërshtari kishte një organizim të mirë dhe ekip të shkëlqyeshëm, por gjithsesi ne i kemi luajtur deri tash me sukseset shanset tona në Kupë dhe shpresojmë të vazhdojmë në këtë mënyrë deri në fund”, ka deklaruar ai.

Sulmuesi Labinot Osmani ka luajtur gjatë karrierës së pasur edhe për Hysin, Prishtinën dhe Feronikelin, por është rikthyer te skuadra e Vushtrrisë me synim që ta rikthejë këtë skuadër në elitën e futbollit të Kosovës. “Rikthimi te Vushtrria ka qenë një hap që kam marrë për të arritur ta rikthejmë këtë klub aty ku e ka vendin, pra në Vala Superligë. Të gjithë jemi duke e dhënë maksimumin për një gjë të tillë”, ka përfunduar Osmani.

(Veton ZYMBERI)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë pas mbledhjes së…