Osmani: Vushtrria, shembull i solidaritetit dhe i menaxhimit të mirë të krizës me Covid-19
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar sot Komunën e Vushtrrisë, ku është pritur në takim nga kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri me bashkëpunëtorë.
Fillimisht, Tahiri e ka falënderuar kryetaren Osmani që ka zgjedhur ta vizitojë Vushtrrinë, siç ka thënë në ditën më të rëndë të saj, pasi edhe tetë qytetarë të kësaj komune u konfirmuan si të infektuar me Covid-19.
Më tutje, ai e ka njoftuar Osmanin me hapat që shtabi emergjent dhe komuna po i ndërmarrin për menaxhimin e krizës së pandemisë, përfshirë dezinfektimin e të gjitha hapësirave publike, reduktimin e stafit, caktimin e Shkollës së Policisë si objekt karantinimi, angazhimin për mbarëvajtjen e mësimit online dhe sidomos me gatishmërinë që t’u ndihmohet familjeve në nevojë dhe bizneseve.
Ndërsa kryetarja Osmani ka theksuar përkushtimin e saj dhe të Kuvendit që në këtë kohë të vështirë të ketë koordinim ndërmjet institucioneve qendrore dhe komunave.
Ajo ka kërkuar edhe një herë që në këtë kohë pandemie të merret shembulli i organizimit solidar në Vushtrri, për tu bërë bashkë në betejën ndaj pandemisë.
“Është dëshmuar që investimi në shëndetësi është i domosdoshëm për mirëqenien e shtetit”, ka thënë kryetarja Osmani.
Sipas saj, kjo situatë do të na ndihmojë të kuptohet më mirë roli dhe kontributi i punonjësve shëndetësorë në shoqëri.
“Kosova ka kaluar kohë të vështira edhe më parë, por i ka tejkaluar ato, ngase ka pasur solidaritet moral e politik”, ka thënë Osmani.
Ajo ka theksuar se do t’i lusë deputetët e Kuvendit që ata të jenë sa më afër institucioneve lokale dhe qytetarëve gjatë krizës së pandemisë.