OTKT-ja: Përfitimet e marrëveshjeve tregtare nuk janë kuptuar si duhet
Oda Tregtare Kosovaro Turke (OTKT) ka theksuar se Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Turqisë do t’i sillte përfitime që të dyja vendeve dhe jo vetëm.
OTKT-ja ka njoftuar se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Kosova do të kishte shumë avantazhe dhe do të përfitonte mundësinë e hapjes në një treg si Turqia i cili përbën 80 milionë banorë.
Sipas OTKT-së, disa produkte strategjike për Kosovën do të mbrohen deri në 10 vjet.
Zyrtarë të Odës Tregtare Kosovaro Turke në një deklaratë të dhënë për gazetën Epoka e Re, potencuan se Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë do të kishin një efekt pozitiv në rritjen e investimeve, si dhe tregtinë e ndërsjellët.
“Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Turqisë duhet të hyjë në fuqi sa më parë. Kjo marrëveshje është një marrëveshje asimetrike dhe se sektorët konkurrues në Kosovë do të mbrohen për 10 vjet që nga hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë do të kontribuojë në rritjen e vëllimit të tregtisë së ndërsjelltë si dhe tërheqjen e investimeve në Kosovë”, ka thënë kryetari i OTKT-së Abdurrahman Balkiz.
Kryetari Balkiz po ashtu tregon se Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë të nënshkruara ndërmjet vendeve ndikojnë në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, ndërsa thekson se disa nga përparësitë që Turqia i siguroi Kosovës në këtë marrëveshje do të krijonin mundësi të mira për vendin. Ai po ashtu bëri të ditur se taksa ndaj produkteve bujqësore në Turqi është shumë e lartë ku thotë se me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes të Tregtisë së Lirë, Kosova do të përfitonte mundësi të tregtisë në këtë sektor.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Odës Tregtare Kosovaro, Turke Esin Muzbeg, ka deklaruar se Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë të Turqisë me vendet e Ballkanit kanë ndikuar në rritjen e vëllimit të tregtisë për disa fish si dhe kanë krijuar mundësi të reja bashkëpunimi. “Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Turqisë dhe Bosnje Hercegovinës, eksportet e Turqisë në Bosnje dhe Hercegovinë janë rritur rreth 8 herë ndërsa importet nga Bosnja dhe Hercegovina në Turqi u rritën rreth 30 herë. Një situatë të ngjashme e vërejmë edhe midis Turqisë dhe Maqedonisë. Eksportet e Turqisë në Maqedoni janë rritur rreth 3 herë, ndërsa 8 herë kemi rritje të importeve nga Maqedonia”, ka thënë ai.
Muzbeg po ashtu bën të ditur se Turqia është mjaft proteksioniste ndaj produkteve bujqësore ku tarifat doganore ndaj këtyre produkteve janë mesatarisht 42%, ndërsa në disa produkte të caktuara arrijnë deri në 140%. Prandaj sipas tij, avantazhet e ofruara Kosovës përmes Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë do të ndikonin në rritjen e investimeve ekzistuese në këta sektorë si dhe rritjen e eksportit.
Zyrtarët e Odës Tregtare Kosovaro Turke, në këtë deklaratë të dhënë për gazetën “Epoka e re” theksuan se përparësitë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe Turqisë nuk janë shpjeguar aq sa duhet. Kosova e cila ndjek ekonominë e tregut të lirë, përmes negociatave të realizuara, më 27 shtator 2013 nënshkroi Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Turqinë.
Turqia përfundoi procedurat e miratimit të kësaj marrëveshjeje më 14 korrik 2015 ndërsa hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje do të bëhet me miratimin e procedurave edhe nga ana e Kosovës.