OVK-ja kërkon të përfillen rekomandimet e tyre për trajtimin e qenve endacak
Rekomandimet e Odës së Veterinerëve të Kosovës duhet të merren më shumë parasysh kur është fjala për çështjen e trajtimit të qenve endacak.
Kjo kërkesë ka dalë nga OVK në një tryezë të organizuar nga komuna e Prishtinës me përfaqësuesit e BE-së, organizata joqeveritare dhe akterë të tjerë profesionalë të fushës mbi strategjinë kornizë për trajtimin e qenve endacakë.
Duke vlerësuar organizimin e këtij takimi mbi një çështje e cila ka nxitur së fundmi reagime të mëdha lidhur me rrezikun nga qentë endacak në kryeqendrën e Kosovës e që është mjaft shqetësues, kryetari i OVK-së, Xhevdet Krasniqi, përgëzoi kryetarin e komunës Përparim Rama në përmbushjen e një premtimi të dhënë se, në mënyrë profesionale do t’i qaset problemeve.
Krasniqi tha se, sa i përket kësaj teme, ne si OVK kemi qenë të kyçur përveç në ligj edhe në ngritjen profesionale të veterinerëve, të cilët morën pjesë aktive në trajtimin e qenve endacak.
Ai tha se, OVK ka ekspertë të mjaftueshëm që të veprojnë në tërë territorin e Kosovës.
“Fatkeqësisht disa rekomandime që i kemi dhënë në fillim të këtij procesi si OVK, nuk i kanë marr parasysh dhe nuk kemi pas rezultate të kënaqshme. Rekomandimi ynë ishte që paralelisht me KSVL, të filloj dhe identifikimi dhe regjistrimi i qenve me pronar. Mirëpo është lajm i mirë që kishim takim me kryeministrin, ku u shprehëm të gatshëm për fillimin e identifikimit dhe regjistrimit të qenve me pronar, krahas trajtimit të qenve endacak”, tha Krasniqi.
Krasniqi tha se, ne si OVK jemi gati për çdo bashkëpunim që kërkohet nga komunat.
E anëtari i OVK-së, njëherësh president i KSAVA, Dardan Pozhegu, tha se e përkrahim strategjinë afatgjatë për zgjidhjen e këtij problemi kombëtar, por jemi shumë të shqetësuar për mirëqenien e kafshëve dhe njerëzve në këto momente.
“Propozojmë që të bëhet identifikimi i qenve të rrezikshëm dhe të rrezikuar dhe të largohen nga rruga, si masë emergjente, dhe komuna të bëjë zgjidhje për strehimin e tyre”, tha Pozhegu.