OVL – UÇK DEGA NË GJILAN MBËSHTET PROPOZIMIN QË SHTEPIA FAMILJES GASHI TË SHPALLET:” SHTEPI MUZE E UÇK-së DHE E KOMBIT”
Për: Agjencinë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale (AMMKM)
Nga: OVL – UÇK – dega në Gjilan
Lënda: Kërkesë për evidentimin e shtëpisë së familjes Gashi si zonë të mbrojtur dhe shpalljen e saj “Shtëpi Muze e UÇK-së dhe e Kombit”
Të nderuar,
Me qëllim të ruajtjes së vlerave të luftës çlirimtare dhe angazhimit të palodhshëm të familjeve që kanë dhënë kontribut të veçantë në Luftën Çlirimtare të Kosovës, Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) dega në Gjilan, me këtë kërkesë, kërkon nga Agjencia juaj të evidentoni shtëpinë e familjes Gashi (Nue dhe Stane Gashi) në fshatin Brus, lagja Peshter, si zonë të mbrojtur dhe ta shpallni atë “Shtëpi Muze e UÇK-së dhe e Kombit”.
Kryesia e OVL-UÇK dega në Gjilan ka pranuar kërkesën e zëdhënësit të ish Zonës Operative të Karadakut (ZOK), z. Ismet Sylejmani, si dhe të bashkëluftëtarëve të tij, Ejup Gashi, Fatmir Gashi, Naser Ahmeti dhe pas konsultimeve me komandantin e ish ZOK-ut të UÇK-së, z. Ahmet Isufi, për iniciativën që shtëpia e Nue dhe Stane Gashit të shpallet “Shtëpi Muze e UÇK-së dhe e Kombit”. Pas shqyrtimit të këtij propozimi, OVL-UÇK e ka vlerësuar këtë iniciativë si të qëlluar, meritore dhe të nevojshme për ruajtjen e historisë sonë kombëtare.
Kryefamiljari i kësaj shtëpie, z. Nue Martin Gashi, kishte ofruar këtë shtëpi për nevojat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e shndërruar atë në një bazë të sigurt strehimi dhe qëndrimi për luftëtarët.
Përpos shtëpisë, e gjithë familja dhe pasuria ekonomike ishin vënë në dispozicion të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke ofruar gjithçka për luftën çlirimtare dhe luftëtarët e lirisë. Kjo shtëpi ka pritur dhe strehuar qindra luftëtarë të UÇK-së, ndër ta edhe komandantë të Zonës Operative të Karadakut, Nerodimes dhe të Llapit.
Përveç kësaj, kjo shtëpi ka qenë një pikë lidhëse e rëndësishme mes Zonës Operative të Karadakut, Nerodimes, Llapit dhe zonave të tjera operative të Kosovës. Strehimi dhe mbështetja e luftëtarëve kanë qenë të pakursyera, ndërsa zonja e shtëpisë, Stane Gashi, ishte një mbështetje e palodhur për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke gatuar dhe shtruar sofrat për qindra ushtarë.
Duke marrë parasysh kontributin e jashtëzakonshëm të familjes Gashi në Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe rëndësinë historike të kësaj shtëpie, OVL-UÇK dega në Gjilan kërkon që kjo kërkesë të trajtohet me prioritet dhe që shtëpia e familjes Gashi të shpallet si një “Shtëpi Muze e UÇK-së dhe e Kombit”, për të ruajtur kujtimin e veprës së madhe të këtij familje dhe luftës çlirimtare.
Në pritje të përgjigjes suaj, ju falenderojmë për vëmendjen dhe mbështetjen.
Me respekt,
Kryetar / Xhevdet Mehmeti
OVL-UÇK – dega në Gjilan
15.11.2024!
Kërksa i dorëzohet:
– Agjencioninit për Menagjimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale (AMMKM)
– Arkivit të OVL UÇK – së,Dega në Gjilan