OVL-UÇK-ja kërkon nga Qeveria rivlerësimin e procesit të veteranëve
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka theksuar se nuk pajtohet me publikimin në medie të listës së “veteranëve të rrejshëm” nga ana e prokurorisë, e cila sipas tij është në kundërshtim më ligjin.
Sipas kësaj organizate, në këtë listë janë futur edhe veteranët e vërtet të UÇK-së.
Pavarësisht kësaj, OVL-UÇK-ja nëpërmjet një komunikate për medie ka inkurajuar prokurorinë që ta bëjë pastrimin e listës se veteranëve.
Komunikata e plotë e OVL-UÇK-së:
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së është deklaruar që në fillim se inkurajon prokurorinë në punën e saj në pastrimin e listave nga veteranët e rrejshëm të UÇK-së dhe për këtë ka shprehë edhe gatishmërinë e saj që të bashkëpunoj me organet e drejtësisë.
Përkundër kësaj, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nuk mund të pajtohet me publikimin nga ana e medieve të listave “të veteranëve të rrejshëm“ të hartuara nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila listë jo vetëm që është publikuar në kundërshtim me ligjin dhe etikën profesionale, por ka të evidentuar një numër shumë të madh të veteranëve të dëshmuar në luftë, të cilët janë futur në këtë listë pa kurrfarë kriteri. Kjo lë të kuptohet se me rastin e ngritjes së akuzës, nuk është bërë punë profesionale, duke u anashkaluar edhe vet ligji.
Kjo akuzë që ka dalë nga ky hetim me një listë prej mbi 19 000 veteranëve të rrejshëm e që në fakt po dëshmohet se përmban shumë lëshime, nuk mund ta qojë këtë proces deri në fund sepse që në fillim ka komprometuar procesin. Prandaj, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës, që të filloj rivlerësimin e gjithë këtij procesi me anë të një Komisioni i cili do të punojë në bazë të kritereve të sakta të përcaktuara me Ligjin e veteranëve të luftës së UÇK-së. Kjo gjë do të ishte më pak e kushtueshme dhe Prokuroria do të lirohet në punën e saj.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kërkon nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, që të sqaroj opinionin se si ka ardhur deri të hartimi dhe publikimi i saj në mediet publike.
/Epoka e re/