OVL-UÇK: Mos e përdorni flamurin e UÇK-së për interesa politike
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar për heqjen dhe vënien e flamurit të UÇK-së në objektin e Qeverisë.
OVL-UÇK ka kërkuar që ky flamur të respektohet dhe të mos përdoret për interesa politike.
“Flamuri i luftës së UÇK-së vendin e ka në Organizatën e Veteranëve dhe Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, në memorialet, komplekset, lapidarët e dëshmorëve, akademitë dhe muzetë e luftës, por edhe mund të përdoret nga qytetarët në shenjë respekti për luftën”, është thënë në reagim.
Sipas kësaj organizate, institucionet e shtetit të Kosovës kanë për obligim ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të luftës së UÇK-së.
“Institucionet e shtetit të Kosovës kanë për obligim ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të luftës dhe kjo bëhet me anë të miratimit dhe zbatimit të ligjeve, dhe i bëjmë thirrje institucioneve dhe qytetarëve që flamurin e UÇK-së të mos e përdorin për interesa politike” është thënë në reagimin e OVL-UÇK-së.
(M.K / Epoka e re)