OVLUÇK-ja i reagon Kuvendit që nuk i bëri ftesë
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar për mosftesë nga Kuvendi i Kosovës ditën kur u miratuan Projekligjet për transforimin e UÇK-së.
“Ne si Organizatë e Veteranëve të UÇK-së, pjesëtarë të Ushtrisë së lavdishme çlirimtare, dëshmitarë të Epokës ‘97/’98/’99, jemi të prekur thellësisht për anashkalimin tonë që të jemi prezent në ditën kur Parlamenti i Kosovës aprovoi ligjin për transferimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës.
Me këtë veprim, Qeveria, Ministria e Mbrojtjes dhe Parlamenti i Kosovës, treguan se kanë fundosur dijen, vetëdijen, drejtësinë, ndërgjegjshmërinë në institucionet e Kosovës!
Anashkalimi i përfaqësuesve të OVL-së në këtë ditë të shumëpritur, është cenim i të drejtës tonë dhe vepër antikombëtare që komprometon vetëdijen historike e kombëtare!
Qeveria e qeveritarët, Ministria e ministrat, Kuvendi e kuvendarët është dashur ta dinë se Ushtria e Kosovës u bë dhe u vulos në Prekaz me Kryekomandantin Adem Jashari, i cili me luftën dhe sakrificën e pashembullt në historinë e njerëzimit vuri bazamentin e Ushtrisë, duke ndërruar jo vetëm kushtetutën por historinë dhe duke i treguar Serbisë dhe krejt botës se Kosova ka Ushtri që i del për zot atdheut.
Një fakt historik, sa për t’ua përkujtuar harrestarëve!
(…më 5 prill 1993, në shtëpinë e Adem Jasharit është mbajtur një takim i rëndësishëm. Përveç pjesëtarëve të formacionit të armatosur të Adem Jasharit, në këtë takim morën pjesë edhe disa veprimtarë politikë. Në këtë takim, u vendos që të zgjerohet formacioni ushtarak i Adem Jasharit. Pikërisht në këtë takim Adem Jashari propozon që aksionet që kryheshin në Kosovë, të bëhen në emër të Ushtrisë së Kosovës. Në këtë takim, Adem Jashari u emërua Komandant i Ushtrisë së Kosovës. Sulmet mbi forcat policore serbe tashmë kishin një koordinim. Nga koordinimi, zgjerimi dhe strukturimi i grupeve të armatosura, në vitin 1993, krijohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës)”, thuhet në reagimin e OVLUÇK-së, kryetar Hysni Gucati.
/Epoka e re/