OVLUÇK-ja nuk e përjashton mundësinë e protestave për të kundërshtuar ftesat e Speciales
Migjen Shala nënkryetar i OVL UÇK-së, ka thënë se beson që kryeministri Haradinaj do ta dëshmojë pafajësinë e tij në Gjykatën Speciale.
Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se ftesa e Speciales për Haradinajn i ka zënë edhe ata në befasi.
“Ne nuk e kemi ditë edhe ai nuk e ka ditë, sot është njoftuar edhe ai. Neve na vjen keq sepse për herë të dytë ai jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit. Ne kemi thënë që Gjykata Speciale është e papranueshme por peticioni ynë ka hasur në vesh të shurdhër nga deputetet”, thotë ai.
Sipas tij, dorëheqja e kryeministrit është burrëri, pasi thotë se ka dëshmuar se kombi është më i rëndësishëm.
Ai tutje ka shtuar se nuk e dinë nëse edhe presidenti Thaçi e kryeparlamentari Veseli apo dikush tjetër do të shkojë në Dhomat Speciale.
“Ne kemi marrë informacione edhe Bislim Zyrapin përmes medieve, nuk kemi qenë të njoftuar edhe pse është anëtarë i Shoqatës, edhe atij me siguri i ka ardhur në befasi”, thekson ai.
Ai tutje ka shtuar se nuk kanë informatë nëse edhe Sokol Bashota është ftuar nga Specialja.
Shala thotë se do të shihet në ditët në vijim që lufta e UÇK-së do të jetë e pastër.
Sipas tij, do të duhej të dënoheshin krimet serbe dhe jo ushtarët e UÇK-së.
“Ne si OVL kemi qenë për një gjykatë vendore por pritet të shihet në ditët në vijim”, thotë ai.
Ndërkaq lidhur me protesta, ai thotë se nuk kanë mbajtur deri tash për asnjë gjeneral të thirrur nga Specialja, ani pse, nuk i përjashton protestat në ditët në vijim.
“Format na u kanë shterur sepse ne me një peticion iu kemi drejtuar Kuvendit për me u heq Gjykata Speciale, ne në forma të ndryshme do ta kundërshtojmë atë”, ka thënë ai, duke shtuar se dikush po e vuan më shumë e dikush më pak çmimin e lirisë.