OVLUÇK-ja: S’ka bazë juridike që Sylemjan Selimi dhe Jahir Demaku të mbahen në burg
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, konsideron për rastin Drenica 1 dhe Drenica 2, se nuk ka asnjë bazë juridike që Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku të mbahen në burg.
“Për shumë vite pas luftës, ishim dëshmitarë të dështimit total të drejtësisë ndërkombëtare e cila përmes mekanizmave të ashtuquajtur të drejtësisë, vazhdimisht organizoi komplote kundër luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe në rastin Drenica 1 dhe 2, nuk ka asnjë bazë juridike që Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku të mbahen në burg. Sjellja e sistemit të drejtësisë ndaj tyre, është veprim i pastër politik dhe degradues për sistemin e drejtësisë në Kosovë”, është thënë në reagimin e OVLUÇK-së.
Sipas OVLUÇK-së, gjatë gjithë gjykimit ndaj tyre, janë bërë padrejtësi. “Po të kishim gjyqësi të mirëfilltë, duhet të ndiqeshin penalisht të gjithë ata që pa asnjë bazë juridike po i mbajnë në burg bashkëluftëtarët tanë. Me këto veprime po dëshmohet edhe njëherë, si shumë herë të tjera, se drejtësia ndërkombëtare vetëm ka përndjekur luftëtarët e UÇK-së”, është theksuar në reagimin e OVLUÇK-së.
/Epoka e re/