Oweni: Pogba me Kloppin ose Guardiolën do të ishte ndryshe
Paul Pogba do të ishte një nga lojtarët më të mirë në botë nëse do të luante për skuadrat ku janë trajnerë Jurgen Klopp dhe Pep Guardiola. Kështu ka deklaruar ish-sulmuesi i Liverpoolit dhe Manchester United, Michael Owen.
“Mendoj se trajneri duhet të marrë një pjesë të fajit, për sistemin dhe mënyrën se si ai luan. Më kujtohet kur Pogba nënshkroi së pari dhe po përpiqeshin me të gjitha llojet e mesfushorëve, brenda dhe përreth ekipit, që të merrnin më të mirën nga ai. Më vjen keq për të nga ky këndvështrim por, si lojtar, është frustruese kur e sheh Pogban. Ai ende duket sikur një 16 apo 17-vjeçar dhe po mëson lojën e futbollit. Mendoj se Pogba bën kaq shumë gabime në lojëra, gjë që është frustuese. Nëse ai do të luante siç duhet…, nëse do të luante nën drejtimin e Guardiolës, Kloppit apo dikujt tjetër si ata, mendoj se do të ishte një nga lojtarët më të mirë në botë. Por, për momentin nuk mund ta themi këtë”, ka thënë Owen.
“Pogba është krejtësisht lojtar i klasës botërore, por duke luajtur në një ekip të caktuar, në një mënyrë të caktuar. Jam shumë i irrituar ta shoh ashtu, sepse e di që është më i mirë se ai që e shohim javë pas jave. Nuk mendoj se mënyra se si skuadra po luan, ose mënyra se si trajneri po e menaxhon, është e favorshme për ta marrë më të mirën prej tij”, ka deklaruar Owen.