Oweni zgjodhi Unitedin pasi u refuzua nga Liverpooli
Michael Owen nuk ndien se duhet të kërkojë falje pse i ishte bashkuar Manchester Unitedit më 2009, duke thënë se ish-klubi i tij, Liverpool, nuk kishte dashur ta kthente në Anfield.
Fituesi i Topit të Artë më 2001 Owen u kthye në futbollin anglez duke iu bashkuar Newcastle Unitedit nga Real Madridi më 2005, me të kuqtë që nuk kishin shfaqur interesim ta kthenin në klub.
Katër vjet më vonë, Owen kishte vendosur t’i jepte fund një periudhe të harrueshme në Newcastle, por Liverpooli përsëri e kishte anashkaluar mundësinë ta kthente atë në klub.
Trajneri i atëhershëm Rafa Benitez kishte kërkuar sulmues tjerë, duke ia hapur derën rivalit të moçëm, Unitedit, ta rrëmbejë një golashënues të dëshmuar.
“Po largohesha nga Newcastle dhe gjëja e parë që e bëra ishte t’i telefonoja Carra (Jamie Carragher) dhe i thashë ‘fol me Rafa Benitezin’. Carra më mori në telefon më vonë dhe më tha ‘jo, ai do ta blejë një sulmues tjetër’. Mendoj se ishte David Ngog. Çfarë duhej të bëja unë në atë moment. Menaxheri im foli me çdo klub në planet për të parë cilat ishin mundësinë”, zbuloi Owen për BBC.
“Mundësitë e mia ishin Hull City, Evertoni dhe Manchester Unitedi. E parafytyroja të shkoja në Everton, do të më urrenin, të shkoja në Man United do të më urrenin, po ashtu”, shtoi ai.
“Natyrisht që së pari mendova të shkoja në Liverpool edhe kur dëgjova që më donte Man Unitedi, por Liverpooli nuk më donte dhe këto ishin mundësitë e mia, thashë me vete ‘uau, Manchester Unitedi është në Ligën e Kampionëve, aty i njoh shumë prej lojtarëve’. Ishte transferim i shkëlqyer për mua”, vazhdoi ai.
“U befasova shumë dhe isha shumë i lumtur që Manchester Unitedi më kërkoi. Në një kohë kur bëja hapa prapa si lojtar në mendjen time por kampioni i Anglisë donte të më kishte në skuadër. Isha shumë i lumtur kur më kërkuan”, tregoi ai.