Ozili: Nuk largohem nga Arsenali
Mesut Ozil u ka dhënë fund thashethemeve për të ardhmen e tij, duke thënë se nuk e ka ndërmend të largohet dhe se do të mbetet tek Arsenali deri më 2021.
Shumë klube evropiane, por edhe nga Kina dhe MLS, kanë shprehur interesim për mesfushorin gjerman, por Ozil ia ka mbyllur derën duke thënë se do të mbetet tek Arsenali.
“Jo. Unë kam një kontratë deri në verën e vitit 2021 dhe do të qëndroj deri atëherë. Kur firmosa marrëveshjen e re mendova shumë me kujdes për të dhe thashë se ishte një nga vendimet më të rëndësishme të karrierës sime futbollistike. Nuk kam dashur të qëndroj vetëm një ose dy vjet më shumë. Kam dashur të angazhoj të ardhmen time tek Arsenali dhe klubi donte që unë ta bëja të njëjtën gjë. Ju mund të kaloni kohë të vështira, si kjo, por kjo nuk është arsye për të ikur dhe unë nuk do të largohem. Jam këtu deri, të paktën, në vitin 2021”, ka thënë Ozili.