Ozkan: Mavrajt është si një “baba” për mua
Dita e shtunë ka rezervuar një sfidë mjaft të veçantë për Mërgim Mavraj. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, do të jetë përballë ish-skuadrës së tij Kolnit. Të ndodhur në pozita tepër të vështira dy skuadrat do të kërkojnë fitoren për t’iu larguar zonës së ftohtë, që çon në rënien nga kategoria.
Mavraj do të ketë kundërshtar në këtë sfidë, mikun e tij më të mirë, mesfushorin 20-vjeçar të Kolnit, Salih Ozkan.
Në një intervistë për “Bild”, turko-gjermani, ka treguar për raportet me mbrojtësin shqiptar, madje e ka konsideruar atë si një “baba”.
“Dueli ndaj Hamburgut, është i veçantë për mua sepse do takoj mikun tim Mërgim Mavraj. Kur Mërgimi ishte te Kolni, kishim shumë gjëra të përbashkëta, edhe jashtë klubit. Ai ma bëri shumë më të lehtë integrimin në ekip. Më mori për dore dhe kjo më bëri të ndihesha mirë”, ka thënë Ozkan, raporton “Panorama-Sport”.
I pyetur së përse Mavraj u soll aq mirë me të, Ozkan ka treguar: “Sepse është si një ‘baba’, që më ka nxitur të punoj. Është një person i sjellshëm dhe mik me prindërit e mi. Kujdesi i tij dhe mënyra se si ai merret me lojtarët e rinj, më ka impresionuar jashtë mase. Në fushë do të mundohem ta harroj miqësinë dhe të fitoj. Pas lojës mund të qeshim përsëri së bashku me Mavrajn”, u shpreh mesfushori i Kolnit, në intervistën për “Bild”.