Pa doreza e pa çizme në minierën e “Trepçës”

05 prill 2023 | 21:20

“Gjysma e punëtorëve i kanë të thyera helmetat…”. “Çizmet i blejmë vetë…”. “As doreza, as rroba nuk kemi marrë”…

Kjo është gjendja e disa punëtorëve në kombinatin metalurgjik Trepça, sipas Agim Rullanit, mbikëqyrës i minatorëve në horizontin e 10-të të kësaj miniere.

Mungesat, sipas tij, janë bërë më të theksuara në tre muajt e fundit, por ai nuk flet për arsyet.

Nga ndërmarrja, që dikur ka qenë motor i ekonomisë së Kosovës dhe më gjerë, punëtorët marrin vetëm disa mjete.

“Llambën ndriçuese dhe helmetën”, thotë Liridon Hajdari, i cili që 12 vjet punon në minierë.

“Helmeta është më e fortë dhe blihet më rrallë. Të tjerat… me çizme, me rroba, me doreza i sigurojmë vetë. Ne nuk duhet t’i blejmë, por nuk ka. Dhe, më mirë t’i blesh vetë sesa të punosh pa to”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Pajisjet personale nuk janë problemi i vetëm për minatorët, që shpesh iu duhet të futen deri në 800 metra nën sipërfaqen e tokës.

Edhe mjetet e punës janë shumë të vjetruara, thotë kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi.

“Shkaku i mungesës se investimeve kapitale dhe investimeve në mjetet e punës, minatorët gjenden në situatë të vështirë dhe kushtet e punës janë jashtëzakonisht të rënda”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Udhëheqësia e kombinatit nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me mungesat e pajisjeve personale dhe të mjeteve për minatorë.

Kombinati metalurgjik Trepça gjendet në Mitrovicë, me sektorë që shtrihen në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit. Ai numëron rreth 1.300 punëtorë.

Produkte kryesore të minierave të tij janë: koncentratet e plumbit dhe zinkut me përmbajtje të argjendit, arit dhe mineraleve të tjera.

“Pështyjmë zi”

Hajdari, i cili punon si xehetar në horizontin e 11-të të minierës, nuk është i kënaqur as me pagën që merr.

Ai paguhet rreth 750 euro në muaj dhe thotë se kjo shumë është e padinjitetshme në raport me vështirësitë që i ka puna.

“Në hapësirën ku punoj, ajri është shumë i rëndë, ka shumë gazra, që formohen nga tymi, pluhuri dhe lagështia. Ne, kur e përfundojmë punën dhe dalim mbi sipërfaqe, pështyjmë zi. Unë nuk pi cigare, merrem edhe me sport, por, prapë, ngjyra e lëngut të pështymës është e zezë”, thotë 33-vjeçari.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bedri Islami, ish-udhëheqës i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), ka…