Pa epopenë e Jasharëve s’do të kishim liri dhe pavarësi
Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se pa ngjarjet pararendëse, e sidomos pa epopenë e Jasharëve legjendarë, në Kosovë nuk do të nxehte dielli i lirisë dhe pavarësisë sonë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se në këto ditë të gjitha rrugët e Kosovës të çojnë në Prekazin e Adem Jasharit.
“Prandaj nuk është rastësi pse Prekazi i Poshtëm, Lagjja e Jasharëve, është bërë qendra e pelegrinazhit për gjithë shqiptarët kudo janë. Ndërsa Adem legjendari, kryesimbol i lirisë dhe i pavarësisë sonë.”, ka deklaruar Krasniqi.
21 vjet pas kësaj ngjarje të rëndësishme për vendin dhe kombin shqiptar ai ka thënë se fitorja është e madhe, por jo e plotë.
“Ajo që mund të thuhet tani është fakti se Kosova është e lirë, sovrane dhe e pavarur dhe kjo nuk është pak, por nuk është e tëra. Nuk është e tëra, se Jasharët dhe shumë breza para tyre kishin luftuar për çlirim dhe bashkim kombëtar, kishin luftuar për shtet të së drejtës në të cilin qytetarët e prekin dhe e jetojnë perspektivën e tyre. Kjo, mbase, u mbetet brezave të rinj të Shqipërisë e të Kosovës ta realizojnë. Gjithsesi, fitorja është e madhe, ndonëse jo e plotë”, është shprehur Krasniqi.
Ai ka thënë se është koha që institucionet shtetërore t’i kushtojnë një vëmendje të shtuar dhe serioze Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, që është bazamenti i lirisë dhe i shtetit tonë.
“Kompleksit Memorial të Jasharëve legjendarë i është dhënë një pamje fillestare, por jo ajo që do të dëshironim ta shihnim. Tani për tani puna që kërkon urgjencë është konservimi i objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike, i kullave të qëndresës historike të 5, 6 dhe 7 marsit 1998. Shpresoj dhe besoj se kjo do të ndodhë shpejt. Ato janë monumentet kryesore të Kompleksit Memorial dhe nuk duhet të lihen në atë gjendje. Koha është që institucionet e shtetit t’i kushtojnë një vëmendje të shtuar dhe serioze asaj që është bazamenti i lirisë dhe i shtetit tonë”, ka theksuar Krasniqi.
Në këtë intervistë ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka folur edhe për zhvillimet politike dhe për bashkimin e faktori politik kur janë në pyetje interesat e shtetit dhe kombit.
Ai ka thënë se kombi ynë në rrethana robërie di të mobilizohet si i ka hije, ndërsa në rrethana lirie di të jetë goxha i çakorduar.
“E gjithë historia e kaluar e kombit tonë, më se një herë e ka konfirmuar, se pa një bashkim në shkallë sa më të gjerë, kombi ynë asnjëherë nuk ka realizuar kërkesat e qëllimet e tij. Po, si po duket, historia po flet se kombi ynë në rrethana robërie di të mobilizohet si i ka hije, ndërsa në rrethana lirie di të jetë goxha i çakorduar, si jemi në vitet e fundit. Edhe ky vit po e konfirmon këtë gjendje”, theksuar ai, duke shtuar se rrjedhat politike nuk janë aspak të mira.
“Epoka e re”: Z. Krasniqi, në këtë përvjetor të ‘Epopesë së UÇK-së,’ si i vlerësoni rrjedhat politike, ekonomike dhe sociale në vend?
Krasniqi: Në ditë të tilla ndoshta më tepër duhet të flasim për ngjarjen që e solli kthesën e madhe sesa për gjendjen e sotme. Rrjedhat politike janë këto që janë dhe nuk janë aspak të mira. Nuk janë të mira në krahasim me të djeshmen kur gjithçka bëhej për interesin e kombit e të vendit, ndërsa sot shumëçka bëhet për interesat personale të atyre që kanë marrë e janë zotuar për përgjegjësinë publike për kombin dhe shtetin. Derisa qytetarët tanë perspektivën e shohin në ikje nga atdheu, kjo flet më së miri se as gjendja ekonomike e as ajo sociale në këtë vend nuk është e mirë. Për të ndryshuar gjendja, duhet ta ndryshojmë qasjen tonë për vendin dhe kombin.
“Epoka e re”: Z. Krasniqi, sot (e martë) shënohet 21-vjetori i ‘Epopesë së UÇK-së’. Si e kujtoni këtë ngjarje dhe cila është rëndësia e saj për Kosovën dhe kombin shqiptar?
Krasniqi: Fundviti 1997 dhe fillimviti 1998 ishin të mbushur me ngjarje të cilat paralajmëronin një luftë të pabarabartë të popullit tonë në raport me forcat pushtuese serbe. Ishin shenja që tregonin se lufta çlirimtare nuk ishte larg. Në një situatë të tillë ndodhën Likoshani dhe Qirezi, ku armiku në mënyrë barbare vrau dhe masakroi çfarë gjeti përpara. Në një atmosferë të tillë dhimbje kombëtare, ndodhi epopeja e Prekazit legjendar, një luftë e pabarabartë e një familje me shtetin, me makinerinë e tij ushtarake, policore të të gjitha llojeve. Nuk e di, nëse ajo luftë mund ta ketë një motër edhe në historinë e përbotshme. Sigurisht se ato ngjarje pas vetes kanë lënë lavdinë e tyre, kanë lënë dhimbjen krenare të kombit, pa të cilat nuk do të frymonim të lirë në atdheun tonë. Ishin ditë që askush nuk mund të dinte se cili do të ishte fati i tij. Në ditë të tilla njerëzit e shohin nevojën e mobilizimit për liri. Kështu nisi një mobilizim i ri i kombit tonë për luftën çlirimtare. Prandaj nuk është rastësi pse Prekazi i Poshtëm, Lagjja e Jasharëve, është bërë qendra e pelegrinazhit për gjithë shqiptarët kudo janë. Ndërsa Adem Legjendari, kryesimbol i lirisë dhe i pavarësisë sonë. Pa ngjarjet pararendëse, e sidomos pa epopenë e Jasharëve legjendarë, në Kosovë nuk do të nxehte dielli i lirisë e i pavarësisë sonë. Prandaj, në ditë të tilla, të gjitha rrugët e Kosovës kanë të çojnë në Prekazin e Adem Jasharit.
“Epoka e re”: Lufta e Jasharëve më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 është sakrifica më sublime për liri. Është realizuar plotësisht ajo për të cilën është flijuar familja Jashari?
Krasniqi: Në këtë pyetje çdo përgjigje ka vështirësi. Pse? Së pari, çdo luftë për liri rrënjët i ka në idealizmin e shumë brezave atdhetarësh, që kulmoj më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekazin e trimërive tradicionale. Së dyti, veprat që burim kanë idealizmin, janë më shumë sesa vështirë që të realizohen, pa formësimin e idealeve të jetësimit të ëndrrave shekullore. Idealet gjithnjë ecin para nesh dhe gjithnjë kanë nevojë për idealizma të rinuara, të përtërira e të ripërtërira. Ajo që mund të thuhet tani është fakti se Kosova është e lirë, sovrane dhe e pavarur dhe kjo nuk është pak, por nuk është e tëra. Nuk është e tëra, se Jasharët dhe shumë breza para tyre kishin luftuar për çlirim e bashkim kombëtar, kishin luftuar për shtet të së drejtës në të cilin qytetarët e prekin dhe e jetojnë perspektivën e tyre. Kjo mbase u mbetet brezave të rinj të Shqipërisë e të Kosovës ta realizojnë. Gjithsesi, fitorja është e madhe, ndonëse jo e plotë.
“Epoka e re”: Pavarësisht prej sakrificës dhe madhështisë së veprës së Jasharëve, dy dekada më pas Kompleksi Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz është në gjendje jo të mirë. Pse shteti nuk u përkujdes si duhet dhe në kohën e duhur për të ruajtur këtë tempull të shenjtë?
Krasniqi: Kompleksit Memorial të Jasharëve legjendarë i është dhënë një pamje fillestare, por jo ajo që do të dëshironim ta shihnim. Tani për tani puna që kërkon urgjencë është konservimi i objekteve të trashëgimisë kulturore e historike, i kullave të qëndresës historike të 5, 6 e 7 marsit 1998. Shpresoj dhe besoj se kjo do të ndodhë shpejt. Ato janë monumentet kryesore të Kompleksit Memorial dhe nuk duhet të lihen në atë gjendje. Koha është që institucionet e shtetit t’i kushtojnë një vëmendje të shtuar dhe serioze asaj që është bazamenti i lirisë dhe i shtetit tonë.
“Epoka e re”: Ky përvjetor a duhet të shërbejë për bashkimin e faktorit politik për të punuar në interes të shtetit dhe kombit shqiptar?
Krasniqi: E gjithë historia e kaluar e kombit tonë më se një herë ka konfirmuar se pa një bashkim në shkallë sa më të gjerë kombi ynë asnjëherë nuk ka realizuar kërkesat e qëllimet e tij. Po, si po duket, historia po flet se kombi ynë në rrethana robërie di të mobilizohet si i ka hije, ndërsa në rrethana lirie di të jetë goxha i çakorduar si në vitet e fundit. Edhe ky vit po e konfirmon këtë gjendje.
“Epoka e re”: Z. Krasniqi, në këtë përvjetor të ‘Epopesë së UÇK-së’, si i vlerësoni rrjedhat politike, ekonomike dhe sociale në vend?
Krasniqi: Në ditë të tilla ndoshta më tepër duhet të flasim për ngjarjen që e solli kthesën e madhe sesa për gjendjen e sotme. Rrjedhat politike janë këto që janë dhe nuk janë aspak të mira. Nuk janë të mira në krahasim më të djeshmen kur gjithçka bëhej për interesin e kombit e të vendit, ndërsa sot shumëçka bëhet për interesat personale të atyre që kanë marrë e janë zotuar për përgjegjësinë publike për kombin dhe shtetin. Derisa qytetarët tanë perspektivën e shohin në ikje nga atdheu, kjo flet më së miri se as gjendja ekonomike e as ajo sociale në këtë vend nuk është e mirë. Për të ndryshuar gjendja, duhet ta ndryshojmë qasjen tonë për vendin e kombin.
Shqipe HETEMI