Pa Listën Serbe nuk ndryshon Ligji për festat zyrtare
Ky prill mbase mund të quhet muaji i pushimeve, të paktën për punëtorët e sektorit publik, që përgjatë tij kanë katër ditë pune kur nuk punojnë, në shënim të festave zyrtare.
Këtë të hënë, festohet Dita e Kushtetutës, megjithëse ajo është të dielën, më 9 prill, e të martën pushohet për Pashkët Katolike, që zyrtarisht festohen më datën 10, pra një ditë më parë.
Praktika e bartjes së pushimit të festave nga vikendi në ditë pune duket se nuk do të ndryshojë shpejtë, njofton Klan Kosova.
Kjo ngase plotësim-ndryshimi i Ligjit për Festat Zyrtare që e parasheh këtë, e i cili këtë javë ishte pjesë e mbledhjes së Kryesisë, zor se kalon në Kuvend.
“Ky ligj nëse lista serbe nuk është në kuvend nuk hyn fare në votim, as në lexim të parë as në të dytin, ka vite, është për të disatën herë që vjen deri në kuvend dhe duhet të përsëritet” u shpreh Valon Ramadani, Kryesuesi i Komisionit për Administratë Publike.
Ligji po ashtu parasheh që edhe egjiptianët të kenë ditë të shënuar, ndërkohë të largohet dita e Evropës, që është 9 maji. Kjo e ka përkrahjen edhe të subjektit më të madh opozitar.
“Ligji si propozim që ka ardhur në seancë të Kuvendit është një projekt i mirë që ka hapësirë edhe më tutje të ketë plotësim ndryshime nga deputetët dhe Komisionet relevante.” Anëtarë i Komisionit nga PDK-ja.
Televizioni gjatë të shtunës nuk ka marrë një përgjigje për këtë çështje nga përfaqësuesit e dy partive tjera opozitare, që janë pjesë e Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, që e ka hartuar ligjin.