Pa marrë fund kjo qeveri nuk do të ketë fund dhuna

17 maj 2020 | 10:29

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Ai ka deklaruar se gjithçka ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në mënyrën më të pabesë, ndërkohë që këta policë duhet të ishin në shërbim të qytetarëve. Sipas tij, çdo shqiptar e kupton nga kjo ngjarje se me Edi Ramën paligjshmëria, dhuna dhe pabesia do të vazhdojnë.

Basha ka thënë se ky është një akt barbar dhe se opozita do të marrë vendime politike ditën e sotme. “Gjëja e parë që bënë, rrëzuan kamerat e medias, dhunuan gra, artistë, të rinj, të pafajshëm, dhunuan drejtues të opozitës, për mëkatin e vetëm sepse shkuan në ndihmë të grave që po dhunoheshin. Flamur Noka ja ku është, mund t’ia merrni dëshminë. Vetëm sepse shkoi të ndihmonte dy gra që po trajtoheshin në mënyrë shtazarake nga policia, përdorën dhunë ndaj tij. Tani që flasim, kryetari i Forumit Rinor ndodhet i shoqëruar në komisariatin nr. 6, edhe ai i dhunuar. Dhunë barbare, paligjshmëri dhe, siç shikoni, këtu kanë sjellë po aq, mos më shumë polici se gjatë protestave të opozitës. Gjithçka ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në mënyrën më të pabesë, ndërkohë që këta policë duhet të ishin në shërbim të qytetarëve”, ka thënë Basha.

Ai ka treguar edhe për hapat që do të ndërmarrë opozita pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, shkruan oranews. “Opozita do të mblidhet sot, koalicioni opozitar do të mblidhet sot dhe do t’i ndërmarrë veprimet politike. Ajo që çdo shqiptar e kupton sot nga kjo ngjarje është se me Edi Ramën paligjshmëria, dhuna dhe pabesia do të vazhdojnë. Nuk do të kenë fund dhuna, paligjshmëria edhe padrejtësia pa marrë fund kjo qeveri dhe pa u larguar ky njeri. Nuk ka rrugë tjetër. Hapa politikë do të hedhim. Ne do t’u bëjmë thirrje qytetarëve që të na ndjekin në rrugën politike”, ka thënë Basha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Kinës në Izrael, Du Wei, është gjetur i…