Pa ndërhyrjen e ShBA-së nuk do të ketë zgjidhje në mes të Kosovës dhe Serbisë
Publicisti i njohur shqiptar Kim Mehmeti ka thënë se nuk do të mund të ketë zgjidhje në mes të Kosovës dhe Serbisë pa ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Ai i ka quajtur blerje kohe përpjekjet e Evropës për t’i normalizuar raportet ndërmjet dy vendeve.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Mehmeti ka theksuar se Evropa pa ndihmën e ShBA-së nuk ka mundur ta zgjidhë asnjë problem ballkanik.
Sipas tij, kjo është dëshmuar në të gjitha luftërat e fundit në këto hapësira.
Mehmeti ka thënë se nga qëndrimi i Amerikës do të varet edhe ideja për shkëmbim territoresh.
Ai ka bërë me dije se ideja për shkëmbim territoresh e ka dëmtuar Kosovën më shumë sesa të gjitha lojërat diplomatike serbe.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)