Pa ndërhyrjen e ShBA-së nuk do të ketë zgjidhje në mes të Kosovës dhe Serbisë

03 maj 2019 | 12:17

Publicisti i njohur shqiptar Kim Mehmeti ka thënë se përpjekjet e Evropës për t’i normalizuar raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë vetëm blerje kohe.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se pa ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) nuk do të ketë zgjidhje në mes të dy vendeve.

“Duhet thënë një të vërtetë: kjo Evropë, e tillë siç është, pa ndihmën e ShBA-së nuk ia doli të zgjidhë asnjë problem ballkanik. Kjo u dëshmua edhe në të gjitha luftërat e fundit në këto hapësira. Evropa ishte ajo që vite me radhë ndërtonte paqe duke biseduar me mjeshtrin e luftërave dhe ‘kasapin e Ballkanit’, Millosheviqin. Edhe sot dialogun Kosovë – Serbi ajo e zhvillon me dy presidentët që interes parësor kanë karrierat e tyre politike. Pra, besoj se pa ndërhyrjen e ShBA-së nuk do ketë zgjidhje dhe se e tërë kjo është vetëm blerje kohë”, është shprehur Mehmeti, duke shtuar se edhe sa i përket idesë për shkëmbim territoresh, e tëra do të varet nga qëndrimi i ShBA-së.

Ai ka thënë se kjo ide i shkon përshtati edhe Rusisë dhe ajo do të lobojë që të realizohet, e që pastaj e njëjta formulë të përdoret edhe në hapësira të tjera.

“Pra, kjo ide e faktorizon Rusinë në Ballkan, sepse pas korrigjimit eventual të kufirit Kosovë – Serbi detyrimisht do të hapen edhe çështjet kufitare në Bosnje Hercegovinë e Maqedoni”, ka theksuar Mehmeti.

Ai ka thënë se ideja për shkëmbim territoresh në mes të Kosovës dhe Serbisë, Kosovën e ka dëmtuar më shumë sesa të gjitha lojërat diplomatike serbe.

“Dhe jo vetëm Kosova, por edhe e tërë shqiptaria është duke i humbur pozitat e para disa vjetëve në rrafshin ndërkombëtar”, ka thënë Mehmeti.

Ai ka vlerësuar se Samiti i Berlinit ka për qëllim që t’i japë kohë Ballkanit Perëndimor të shpëtojë nga politikanët që zgjidhjet rajonale i barazojnë me ambiciet e tyre për të mbetur sa më gjatë në skenën politike dhe të shpëtojë nga burrështetasit që ndaj shteteve që drejtojnë, të sillen si ndaj pronës së tyre private.

Mehmeti ka deklaruar se perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor nuk mund ta përshpejtojë askush nga jashtë, përpos neve që jetojmë në këtë pjesë të Evropës.

Në këtë intervistë, publicisti Kim Mehmeti ka folur edhe për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, me ç’rast ka thënë se shqiptarët ishin dhe mbetën vetëm ‘figurantë’.

“Në Maqedoni çdo gjë është e mundur. Jo vetëm në këto, por në të gjitha zgjedhjet presidenciale, shqiptarët e këtushëm ishin dhe mbetën vetëm ‘figurantë’. Ky rol i tyre u bë edhe më i dukshëm pasi BDI-ja shqiptare pranoi që censusi për zgjedhjen e presidentit, të bie nga 51 për qind, në 41 për qind, me çka edhe më shumë u defaktorizua vota shqiptare. Kështu që çdo gjë do të varet nga përqindja e votuesve dhe se a do të përmbushet censusi i nevojshëm”, është shprehur Mehmeti.

“Epoka e re”: Z. Mehmeti, si i komentoni zhvillimet në Samitin e Berlinit?
Mehmeti: Samiti i Berlinit ka për qëllim t’i japë kohë Ballkanit Perëndimor të shpëtojë nga politikanët që zgjidhjet rajonale i barazojnë me ambiciet e tyre për të mbetur sa më gjatë në skenën politike dhe të shpëtojë nga burrështetasit që ndaj shteteve që drejtojnë, të sillen si ndaj pronës së tyre private. Por, sidoqoftë, ne nuk duhet të vetëgënjehemi se ky samit do të sjellë ndryshime në sjelljen e politikanëve tanë, të cilët të ‘fortëve’ perëndimorë ua thonë atë që ata duan ta dëgjojnë, e neve na shesin arrogancë dhe mospërfillje. Pra, që kanë sjellje të kundërt nga ajo e qenit që mbron shtëpinë e vet: u lëpihen të huajve dhe e lehin dhe e kafshojnë të vetin!

“Epoka e re”: Ky samit mund të përshpejtojë perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor?
Mehmeti: Perspektivën evropiane nuk mund ta përshpejtojë askush nga jashtë, përpos neve që jetojmë në këtë pjesë të Evropës. Ne që thuajse tri dekada me radhë jemi duke e jetuar vetëgënjimin se do të bëhemi si e tërë Evropa, vetëm duke aprovuar ligje që do t’i pëlqejnë Brukselit, por që nuk do t’i zbatojë askush. Dhe që e ‘gëlltitëm’ gënjeshtrën që na e ‘shiti’ BE-ja, se mund të ndërtohet parajsë me muratorë të ferrit. Ne që, mbase, edhe ëndrrën që të bëhemi si e gjithë Evropa, e vumë mbrapsht dhe, nga zjarrmia dhe padurimi që të bëhemi si ajo, nuk e pamë me kohë se me shumëçka, Evropa është si gjithë ne. Dhe duke qenë e tillë, ajo pranoi që ‘evropizimin’ tonë ta bëjë me këta burrështetas të papërgjegjshëm, që sot e përcaktojnë fatin tonë.

“Epoka e re”: Sipas jush, do të qartësohet përfundimisht e ardhmja e dialogut Kosovë – Serbi si dhe ideja e shumëpërfolur për korrigjimin e kufijve?
Mehmeti: Duhet thënë një të vërtetë: kjo Evropë, e tillë siç është, pa ndihmën e ShBA-së nuk ia doli të zgjidhë asnjë problem ballkanik. Kjo u dëshmua edhe në të gjitha luftërat e fundit në këto hapësira. Evropa ishte ajo që vite me radhë ndërtonte paqe duke biseduar me mjeshtrin e luftërave dhe ‘kasapin e Ballkanit’, Millosheviqin. Edhe sot dialogun Kosovë – Serbi ajo e zhvillon me dy presidentët që interes parësor kanë karrierat e tyre politike. Pra, besoj se pa ndërhyrjen e ShBA-së nuk do të ketë zgjidhje dhe se e tërë kjo është vetëm blerje kohë. Kështu që edhe sa i përket idesë për shkëmbim territoresh, e tëra do të varet nga qëndrimi i ShBA-së. E në ndërkohë duhet thënë se presidenti i Kosovës është më i përshtatshëm për këto bisedime, ngaqë ai pranon çdo gjë i kërkohet, sepse këto bisedime ai nuk i sheh nga këndvështrimi i interesit të Kosovës, por nga ai i fatit të tij politik. Siç duhet shtuar edhe të vërtetën se kjo ide i shkon për shtati edhe Rusisë dhe ajo do të lobojë që ajo të realizohet, e që pastaj e njëjta formulë të përdoret edhe në hapësira të tjera. Pra, kjo ide e faktorizon Rusinë në Ballkan, sepse pas korrigjimit eventual të kufirit Kosovë – Serbi detyrimisht do të hapen edhe çështjet kufitare në Bosnjë Hercegovinë dhe Maqedoni.

“Epoka e re”: Nga këndvështrimi juaj, si i keni parë zhvillimet në Republikën e Kosovës si në aspektin e brendshëm dhe në atë ndërkombëtar?
Mehmeti: Me vetë faktin që presidenti i Kosovës është bartës dhe promovues i idesë për shkëmbim territoresh, Kosova u kthye thuajse aty ku ishte në vitet e para pas shpalljes së pavarësisë. Sepse u ndërpre procesi i njohjes së saj si shtet i pavarur dhe Serbisë iu mundësua që në vend se të përgjigjet për krimet e bëra në Kosovë, të merret me ambicie territoriale ndaj Kosovës. Sipas meje, ndodhi edhe diçka shumë më tragjike se kaq: shqiptarët e Kosovës u lodhën nga lojërat politike dhe u bënë thuajse të pandjeshëm ndaj fatit të vet kolektiv dhe ndaj të ardhmes së vendit të vet. Dhe, si të tillë, zgjidhjen personale ata tani e shohin jashtë Kosovës, me çka vendi bëhet i pabanueshëm për rininë. Pra, ideja për shkëmbim territoresh në mes të Kosovës e Serbisë, Kosovën e dëmtoi më shumë se sa gjithë lojërat diplomatike serbe. Dhe jo vetëm Kosova, por edhe e tërë shqiptaria është duke i humbur pozitat e para disa vjetëve në rrafshin ndërkombëtar. Dhe kam frikë se ashtu siç vendosën, e siç thanë në kohën e Enverit – lëri le ta vuajnë paaftësinë e vet që të shpëtojnë nga një diktator – edhe tani vendet perëndimore janë afër vendimit që të thonë: lëri le ta vuajnë çmendurinë e vet politike, pasi nuk janë të zotët të shpëtojnë nga politikanët e vet skizofrenë, të cilët vendet që drejtojnë, i ndiejnë si arenë ku edhe papërgjegjësia dhe krimi politik mund të shpallen ‘vlera’ demokratike. E në ndërkohë, njësoj si në komunizëm, kur në ‘mëmëdheun’ tonë në Shqipëri nuk u gjet asnjë disident që do ta mbronte nderin kolektiv përballë një diktatori që e përbuzi inteligjencën shqiptare, edhe tani nuk kemi thuajse asnjë ‘disident’ që do të dëshmonte se kultura jonë politike shkon përtej krimit dhe papërgjegjësisë së drejtuesve tanë.

“Epoka e re”: Z. Mehmeti, si i komentoni zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut dhe si e shihni zgjedhjet presidenciale të 5 majit? Ka gjasa që të mos ketë sërish fitues?
Mehmeti: Në Maqedoni çdo gjë është e mundur. Jo vetëm në këto, por në të gjitha zgjedhjet presidenciale shqiptarët e këtushëm ishin dhe mbetën vetëm ‘figurantë’. Ky rol i tyre u bë edhe më i dukshëm pasi BDI-ja shqiptare pranoi që censusi për zgjedhjen e presidentit të bjerë nga 51 për qind, në 41 për qind, me çka edhe më shumë u defaktorizua vota shqiptare. Kështu që, çdo gjë do të varet nga përqindja e votuesve dhe se a do të përmbushet censusi i nevojshëm.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas takimit me…