![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/01/Hamza-ne-istog1.jpg)
“Pa ndërkombëtarët s’kemi ardhë deri këtu – nuk e përbuzim të mirën”, Hamza për raportet me SHBA dhe BE
Kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, ka folur për marrëdhëniet e Kosovës me aleatët më të afërt të saj kohëve të fundit, duke vlerësuar se ‘‘pa bë veprime konkrete’’, nuk është e lehtë që të rikthehen raportet ku kanë qenë në të kaluarën.
Hamza ka theksuar se pa ndihmën e aleatëve si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendeve të BE-së si dhe vendeve të tjera të botës demokratike, Kosova s’do të ishte ku është.
Tutje, ai ka thënë edhe se nuk duhet të përbuzim të mirën, por duhet të jemi mirënjohës.
‘‘Relacionet me ndërkombëtare, kjo temë ma komplekse, nuk është e lehtë pa bë veprime konkrete që ti mundesh me rikthy nivelin e besimit ku e ke pas në të kaluarën. Se pa ta, na s’jemi ardh deri këtu, e vlerësojmë e krejt gjeneratave, e vlerësojmë edhe projektin më të suksesshëm politiko ushtarakë, që ka ndodh luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por s’jemi ardh vetë, jemi ardh me përkrahjen e miqve, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve të BE-së, vendeve të tjera të botës demokratike. Duhet me qenë mirënjohës, ne për nga tradita jemi popull që jemi mirënjohës, nuk e përbuzim të mirën. Kështu që kthimi i këtyre raporteve, dhe posaçërisht ndryshimet që janë tu ndodh tani është më kompleks. Në SHBA kemi një administratë të re, në Gjermani priten zgjedhjet në shkurt, shumë vende ka me pas zgjedhje, situata po ndërron, dhe ne duhet me ditë saktë ku po pozicionohemi dhe me mbrojte interesin strategjik të vendit, dhe me pas miqësi po, por edhe partneritet’’, ka thënë ai mes tjerash në Pressing.
Hamza, ka folur lidhur me vizionin e tij për bashkimin e qytetarëve dhe qasjen e tij ndaj gjuhës së përdorur nga Qeveria aktuale.
Ai ka theksuar se për të, njerëzit nuk ndahen në të mirë dhe të këqij bazuar në përkatësinë politike, por se të gjithë duhet të trajtohen barabart në momentin që ai merr drejtimin e institucioneve.
“Unë jam i bindur se në çdo parti ka njerëz të mirë dhe njerëz që e duan Kosovën. Nuk i ndaj njerëzit – ata që janë me mua janë të mirë, e ata që s’janë me mua janë apriori njerëz të këqij. Mirëpo, në momentin kur e merr pozitën dhe kryeson institucionin, i shërben të gjithë qytetarëve pa dallim. Aty bie flamuri partiak, hyn flamuri shtetëror, flamuri institucional. Brenda institucionit sillesh si institucionalist,” tha Hamza.
Ai siguroi qytetarët se do ta kenë përkrahjen e tij, pavarësisht se a e votojnë apo jo.
“Qytetarët do ta kenë mbështetjen e plotë dhe trajtimin e njëjtë – edhe ata që më votojnë dhe ata që s’më votojnë. Ne kemi nevojë për pluralizëm politik, kemi nevojë për mendim ndryshe, mirëpo nuk kemi nevojë që të konsiderohemi, larg qoftë, armiq mes veti. Jemi oponentë politikë, mirëpo jemi njerëz të këtij vendi dhe vendin tonë e duam,” shtoi ai.
Deklaratat e Hamzës vijnë në kohën kur ai synon të fitojë besimin e qytetarëve për të udhëhequr qeverinë e ardhshme, duke theksuar nevojën për unitet.