Pa njohje reciproke nuk ka zbatim të marrëveshjes përfundimtare
Ka disa javë që dialogu po qëndron pezull pasi që Serbia është duke insistuar që të diskutohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Këtë kërkesë të palës serbe po e kundërshtojnë në Kosovë. Koordinatori shtetëror për bisedime, Skender Hyseni ka paralajmëruar se datat e vazhdimit të bisedimeve për marrëveshjen e paqes do të publikohen së shpejti
Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, është i bindur se asnjë marrëveshje, që do të diskutohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nuk do të nis të zbatohet nëse nuk ka njohje reciproke.
Hyseni ka thënë se në Bruksel po diskutohen elemente të marrëveshjes përfundimtare, e zbatimi i tyre do të nisë tek pas njohjes përfshirë edhe Asociacionin.
“Në rend të parë nuk dihet se çfarë do të përmbajë marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi. Sa i përket zbatimit të çfarëdo elementi të marrëveshjes ato zbatohen ekskluzivisht pas nënshkrimit të marrëveshjes për njohje reciproke. Pra, aktualisht në Bruksel bisedohet për elementet e një marrëveshje të përgjithshme dhe secili nga ato elemente do të gjejë zbatim vetëm pas nënshkrimit të marrëveshjes, asnjë zotim tjetër nuk merret në Bruksel po që se nuk nënshkruhet marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke Kosovë-Serbi”, ka thënë Hyseni për arbresh.info.
I pyetur nëse Serbia e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, ai tha se pret që shumë shpejt të nisë ky proces.
“Dialogu është duke vazhduar dhe nuk mund unë të interpretoje se çfarë mund të mendoj Serbia, sepse është çështje e tyre. Ndërkaq dialogu nuk është ndërprerë dhe dialogu vazhdon dhe ditëve në vijim. Ju do të njoftoheni për datat se kur do të nisë dialogu për të trajtuar elemente të caktuara të marrëveshjes finale”, ka deklaruar, ai duke nënkuptuar se nuk ka kushtëzim.
Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ditë më parë pas vizitës në Serbi me një deklarim ngjalli shumë reagime në Kosovë.
“Është thënë qartë se ajo që është premtuar duhet të realizohet, përfshirë Asociacionin. Është e logjikshme që të ndryshojë Kushtetuta. Nuk ka thënë askush se nuk guxon të ndodh. Kushtetuta nuk është Bibël”, ishte deklaruar Lajçak.
E, për këtë Hyseni tha se në asnjë variant nuk do të ketë ndryshime kushtetuese në Kosovë.
“Unë nuk e di për çka e ka pasur fjalën zotëri Lajçak duhet të pyetet ai. Si do që t’jetë, rendi kushtetues në Kosovë nuk ndryshon në asnjë variant në marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke Kosovë-Serbi”, është shprehur Hyseni.
Ndryshe, takimi i fundit në mes të kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe Presidenti të Serbisë Aleksader Vuçiq, ishte zhvilluar me 16 korrik në Bruksel me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.